Lajme

Xhamia e madhe në St. Gallen: Skepticizëm, por edhe shpresë për dialog

Edhe para dorëzimit të kërkesës për leje ndërtimi, projekti për ndërtimin e një xhamie të madhe në St. Gallen ka nxitur debat dhe shqetësime. Përfaqësues të Partisë Popullore Zvicerane (SVP) kanë ngritur pikëpyetje, veçanërisht lidhur me financimin e saj.

Një projekt i madh për komunitetin

Komuniteti shqiptaro-islam në St. Gallen planifikon ndërtimin e një xhamie me kapacitet deri në 400 persona në pjesën perëndimore të qytetit. Nëse realizohet, ajo do të jetë ndër xhamitë më të mëdha në Zvicrën gjermanishtfolëse, shkruan mediumi zvicrran srf transmeton albinfo.ch.

Vlera e tokës parashikohet rreth 5 milionë franga zvicerane, ndërsa ndërtimi pritet të kushtojë rreth 10 milionë franga. Kërkesat fillestare janë dorëzuar që në vitin 2024, por në atë kohë projekti u konsiderua i paqartë. Që atëherë, ka pasur pak zhvillime publike lidhur me të.

Pse nevojitet një xhami e re?

Sipas imam Mehas Alija, xhamia aktuale në St. Gallen është shumë e vogël për nevojat e komunitetit.

“Madje detyrohemi të përdorim edhe mensën për faljen e xhumasë,” shprehet ai.

Komuniteti “El-Hidaje”, i themeluar në vitin 1992, përfshin edhe anëtarë të gjeneratës së tretë dhe të katërt që jetojnë në Zvicër.

Dyshime për financimin

Përfaqësuesit kantonalë të SVP-së, të informuar për projektin përmes gazetës “Sonntagsblick”, shprehin shqetësime për krijimin e shoqërive paralele.

Ata kërkojnë sqarime nga qeveria e St. Gallen-it se si do të financohet projekti prej rreth 15 milionë frangash. Frika e tyre lidhet me mundësinë e financimit nga shtete apo organizata të huaja, të cilat mund të ndikojnë në funksionimin e xhamisë.

Reagimi i komunitetit

Komuniteti i hedh poshtë këto pretendime. Sipas tyre, projekti do të financohet përmes kredive bankare, mjeteve vetanake, donacioneve të komunitetit dhe fushatave online.

Në një deklaratë, ata theksojnë: “Pretendimet për financim të huaj duhet të bazohen në fakte. Çdo gjë tjetër është një insinuatë e pabazë dhe jo produktive.”

Sa të besueshme janë këto pretendime?

Sipas Nicole Freudiger, redaktore për çështje fetare në SRF, është e zakonshme që projekte të tilla të mbështeten kryesisht nga vetë komuniteti.

“Ajo është pjesë e traditës islame që financimi për objekte të tilla të vijë nga vetë besimtarët,” shpjegon ajo. Përveç kontributeve financiare, shumë anëtarë ndihmojnë edhe me punë vullnetare.

Megjithatë, ajo shton se nuk mund të përjashtohet plotësisht mundësia e donacioneve nga jashtë.

Përvoja të mëparshme dhe shembuj të dialogut

Në raste të tjera në Zvicër, projekte të ngjashme janë përballur me kundërshtim të fortë. Në Siebnen, në kantonin Schwyz, komuniteti shqiptar u detyrua të tërhiqej nga planet për ndërtimin e një xhamie për shkak të rezistencës së banorëve.

Nga ana tjetër, Freudiger thekson se projekte të mëdha shpesh synojnë të nxisin dialogun ndërkulturor. Si shembull përmendet xhamia në Wil, e cila organizon vizita për shkolla dhe institucione, duke shërbyer si model bashkëjetese dhe komunikimi.

Shenja pozitive për bashkëpunim

Së fundmi, peshkopi i St. Gallen-it ka vizituar xhaminë ekzistuese gjatë iftarit, ndërsa imami ka ndjekur trajnime të vlerësuara pozitivisht. Këto zhvillime shihen si sinjale inkurajuese për dialog dhe bashkëpunim ndërfetar në të ardhmen.