Maqedonia
Zgjedhjet në Maqedoni, kush fitoi e kush humbi
Për 81 poste të kryetarëve të komunave garuan 309 kandidatë, ndërsa për vendet në këshillat komunalë konkurruan mbi 10.490 kandidatë nga gjithsej 576 lista
Partia në pushtet, VMRO-DPMNE, shpalli fitore bindëse pas rundit të parë të zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut, më 19 tetor.
Partia do të ketë kryetarë komunash në 30 nga gjithsej 80 komuna, dhe pret që në rundin e dytë të fitojë edhe në rreth 20 të tjera, përfshirë edhe qytetin e Shkupit, ku kandidati i saj, Orce Gjorgjievski, është në epërsi të madhe.
“Premtuam fitore, kemi fitore”, deklaroi kryeministri dhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
Ai tha se është i kënaqur, pasi numri i përgjithshëm i votave të fituara është më i madh se në zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale të mëparshme. Mickoski gjithashtu konfirmoi se nuk ka ndërmend të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, pavarësisht insistimit të opozitës nga BDI, dhe theksoi se “politikat e etnocentrizmit janë mposhtur.”
Opozitarja LSDM pësoi edhe një humbje pas zgjedhjeve të vitit të kaluar – atyre parlamentare dhe presidenciale.
Megjithatë, partia vlerësoi se rezultati nuk është i keq, pasi këtë herë ka fituar më shumë vota në disa komuna dhe theksoi se ka pasur “shkelje të shumta” gjatë procesit të votimit, raporton Evropa e Lirë, transmeton albinfo.ch.
LSDM do të ketë kryetarë komunash në Kriva Pallankë, Bogdanc dhe Krivogashtan, ndërsa pret të kalojë në rundin e dytë në rreth njëzet komuna të tjera.
“Kjo është dëshmi për konsolidimin brenda partisë që ka filluar dhe do ta vazhdojmë,” deklaroi lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, i cili tha se nuk ka ndërmend të japë dorëheqje pas këtyre rezultateve zgjedhore.
VLEN fitoi në Çair dhe Tetovë, ndërsa BDI në Gostivar
Në bllokun politik shqiptar, kandidati i VLEN, Izet Mexhiti, fitoi bindshëm në komunën kyç – Çair, ndërsa Bilal Kasami në Tetovë. Në rundin e parë, koalicioni fitoi edhe në katër komuna të tjera. Për Mexhitin, ky do të jetë mandati i tij i katërt si kryetar komune, dhe ai do të duhet të lërë postin aktual të ministrit pasi mundi ish-ministrin e BDI-së, Bujar Osmanin, i cili ia uroi fitoren.
Anëtarë dhe simpatizantë të VLEN-it e festuan, siç thanë ata, “fitoren bindëse në Çair dhe Tetovë” pranë monumentit të Skënderbeut në Çarshinë e Vjetër. Koalicioni Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI), e udhëhequr nga BDI, fitoi zgjedhjet për kryetarë komunash në Gostivar, Likovë, Çashkë dhe Plasnicë që në rundin e parë – njoftoi nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi.
Ai tha se, në nivel kombëtar, “AKI është fituese absolute me mbi 20.000 vota epërsi, dhe me votat që ende po përpunohen, kjo diferencë mund të jetë edhe më e madhe.”
Dita e zgjedhjeve kaloi e qetë dhe pa shkelje të mëdha. Pritshmëritë e qytetarëve janë të ngjashme – një jetë më e mirë në komuna më funksionale.
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve njoftoi se deri në orën 18:30 pjesëmarrja e votuesve ishte 46,48 për qind, çka është afër nivelit të rundit të parë të zgjedhjeve të mëparshme, kur kishte arritur 51,44 për qind.
Sipas listës zgjedhore, të drejtë vote kishin 1.832.415 qytetarë.
Për 81 poste të kryetarëve të komunave garuan 309 kandidatë, ndërsa për vendet në këshillat komunalë konkurruan mbi 10.490 kandidatë nga gjithsej 576 lista.
Një veçori e këtyre zgjedhjeve është se meshkujt dominojnë në garën për kryetar komune – 277 kandidatë ose 89,64%, ndërsa gratë janë vetëm 32, që përfaqëson 10,36% të numrit të përgjithshëm.
Buxheti i përgjithshëm që shteti ndau për organizimin e këtyre zgjedhjeve lokale është 9 milionë e 760 mijë euro, nga të cilat dy të tretat janë mjete të destinuara për mediat dhe reklamat politike të paguara.
Rundi i dytë i zgjedhjeve është caktuar për 2 nëntor.
Të tjera nga Maqedonia
E-Diaspora
-
Kompozitori kosovar Ardian Gega prezantohet në Pragë me veprën “On the Edge of Silence” Artistë nga Kosova, Shqipëria dhe Republika Çeke u bashkuan në koncertin ndërkombëtar “Silent Eternum”... -
Venera prezanton Kosovën në kongresin botëror të endokrinologjisë në SHBA -
Nga Kosova në Michigan Law School, Ilir Hajraj arrin një sukses të rëndësishëm akademik -
Përfundon numërimi i votave me postë, LVV dominon me gati 73 për qind të mbështetjes -
Gjithçka gati për edicionin jubilar të Alba Festival 2026 – Festivali më i madh shqiptar në Evropë
Jeta në Zvicër
-
Parlamenti zviceran mbështet verifikimin e të dhënave kriminale për lejet e qëndrimit për të huajt Senati i Zvicrës iu bashkua të mërkurën Dhomës së Përfaqësuesve në miratimin e një mocioni që... -
Zvicër: Gjykatën Administrative Federale kritikohet për procedurat e azilit -
Zvicër: Rriten rastet e dumping-ut të pagave në 2025, ndërsa puna e padeklaruar shënon rënie të lehtë -
Parlamenti zviceran miraton rritjen e TVSH-së për financimin e pensionit të 13-të të AVS -
Zbulohet rrjet trafiku ari mes Ticinos dhe Italisë, 230 kg ari të kontrabanduara në Zvicër













