E-Diaspora

Rixhil Agushi: Angazhohem kundër diskriminimit dhe për bashkëjetesë kulturash

Më 24 mars 2019 do të mbahen zgjedhjet për Parlamentin e Kantonit të Cyrihut. Këshilltarja në Asamblenë e qytetit Schlieren, Rixhil Agushi, kandidon këtë vit për herë të parë. Në intervistën dhënë për albinfo.ch, ajo flet për motivet që e kanë shtyrë që të kandidojë

Albinfo.ch: Prej tetë vjetësh jeni asambleiste në Schlieren dhe pjesëtare e Komisionit të Kontrollit. Çfarë ju ka shtyrë tash që të kandidoni edhe për Parlamentin Kantonal?

Rixhil Agushi: Në tetë vjetët e fundit në Komunën e Schlierenit kam pasur mundësinë që t`i përfaqësoj dhe t`i çoj drejt realizimit shumë çështje. Por ndërkohë shumë iniciativa kanë ardhur për votim në rrafshin kantonal, për të cilat edhe unë do të doja shumë që të thosha fjalën time. Si deputete kantonale, unë kam mundësi të angazhohem më tepër për shqetësimet e njerëzve, të cilat kanë të bëjnë me Kantonin e Cyrihut si tërësi. Ndër to janë për shembull shkurtimet në sferën e arsimit. Është me rëndësi që ne të sigurojmë të ardhmen e fëmijëve tanë dhe për të bërë këtë, nevojitet arsimim cilësor. Prandaj unë do të angazhohesha veçanërisht shumë që të mos na imponohen shkurtime drastike në këtë lëm.

Albinfo.ch: Cilat janë shqetësimet tua kryesore që dëshironi t`i sillni në Parlamentin e Kantonit?

Rixhil Agushi: Unë gjatë tetë vjetëve të fundit jam angazhuar për të mirën e Schlierenit. Mirëpo jo vetëm qytetarët e Schlierenit duhet të jenë në gjendje të përfitojnë nga një përkujdesje e mirë arsimore, por i gjithë Kantoni i Cyrihut. Për një ofertë të larmishme të përkujdesit arsimor për shkollat është me rëndësi që ne në Parlamentine  Kantonit të kemi më tepër deputetë nga partitë e majta. Kjo për faktin se të majtët janë për më pak kursime, pasi që ne jemi të bindur se më vonë kjo gjë do të shpaguhet. Motoja jonë është: “Për të gjithë, në vend se për pak veta”. Veç kësaj unë angazhohem kundër diskriminimit të mendimit ndryshe dhe për një bashkëjetesë të rregulluar të kulturave dhe religjioneve të ndryshme.

Albinfo.ch: Ku do ta vinit theksin si parlamentare kantonale në politikën e arsimit?

Rixhil Agushi: Unë do të angazhohem kundër reduktimit dhe kufizimeve në përkujdesjen jashtëshkollore dhe për një arsimim të orientuar nga e ardhmja.

Albinfo.ch: Si mendoni ju, si deputete kantonale, të veproni kundër diskriminimit të folësve të gjuhëve të huaja dhe besimtarëve të religjioneve të tjera?

Rixhil Agushi: Duke biseduar shumë me njerëzit, qoftë në rrugë, qoftë në parlament ose madje edhe në televizion. Është me rëndësi që t`u sqarohet të djathtëve përse njerëzit që flasin gjuhë tjera dhe kanë besime tjera, nuk përbëjnë rrezik për Zvicrën. Ata, thjesht, vetëm i kanë rrënjët jashtë vendit dhe jo në Zvicër. Dhe kjo na qenka pengesë për një jetë të rregullt këtu? Jo, për këto paragjykime nevojiten shumë argumente të mira që mund të ndikojnë për të kundërtën.

Albinfo.ch: Në ç`masë angazhimi juaj si parlamentare shqipfolëse do të kishte ndikim pozitiv në imazhin e shqiptarëve në Zvicër?

Rixhil Agushi: Imazhi i shqiptarëve është katandisur në mënyra të ndryshme në humnerë nga mediat. Sepse në të vërtetë ne si popullatë e tërë jemi në rrugë të mbarë. Kjo pasi që gjenerata e sotme po arsimohet mirë ose shumë mirë dhe po gjen vende të mira pune, pjesërisht edhe në nivelin e kuadrove. Mirëpo, këta njerëz në shoqërinë tonë harrohen dhe në vazhdimësi raportohet për rastet problematike. Mediat kërkojnë tituj të diskutueshëm. Në këtë mënyrë, thjesht merren ngjarjet negative për t`ua ofruar lexuesve  atë që dëshirojnë të lexojnë. E kjo konsiston në: të huajt të cilët shkelin ligjin në Zvicër.

Por megjithatë, vetëkuptohet se unë do të angazhohesha për komunitetin tonë. Është me rëndësi që të mos cilësohet një popull i tërë si i keq por të bëhet me dije se ka vetëm përjashtime dhe të tilla ka në çdo vend. Shembulli më i mirë jam unë, pasi që unë kam edhe rrënjë të huaja dhe bëj politikë për vendin tim, d.m.th. për Zvicrën. Unë mendoj se me pozitën time si deputete kantonale kam mundësi të kontribuoj shumë në këtë drejtim.

Rixhil Agushi kandidon si deputete kantonale për Partinë Socialdemokrate, në Listën 2.


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI