Lajme

Zviceranët po udhëtojnë më pak në SHBA, biletat e avionëve po bëhen më të lira

Linjat ajrore kanë filluar të ofrojnë bileta me çmime shumë më të ulëta për destinacione si Nju Jork, Los Anxhelos apo Majami

Interesi i qytetarëve zviceranë për të udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara ka rënë ndjeshëm, duke bërë që kompanitë ajrore të ulin çmimet e fluturimeve për të mbushur vendet në avionë.

Sipas një analize të publikuar nga media zvicerane Blick, rreth 80% e operatorëve turistikë raportojnë një rënie të konsiderueshme të rezervimeve për udhëtime në SHBA. Në disa raste, ulja e kërkesës arrin edhe deri në 40% më pak udhëtime, transmeton albinfo.ch.

Për të përballuar këtë situatë dhe për të tërhequr pasagjerë, linjat ajrore kanë filluar të ofrojnë bileta me çmime shumë më të ulëta për destinacione si Nju Jork, Los Anxhelos apo Majami.

Sipas ekspertëve të turizmit, kjo tendencë lidhet me faktorë të ndryshëm, përfshirë situatën politike dhe ndryshimin e perceptimit për SHBA, gjë që ka bërë që shumë turistë zviceranë të zgjedhin destinacione të tjera për pushime.

Megjithatë, rënia e kërkesës mund të jetë një mundësi për ata që planifikojnë të udhëtojnë, pasi çmimet e fluturimeve drejt Amerikës janë aktualisht ndër më të ulëtat e viteve të fundit.