CH-Ballkani

Zvicra mbështet reformën territoriale dhe administrative në Shqipëri

Qeveria zvicerane ka dhënë 500 mijë dollarë për të vijuar konsolidimin e reformës territoriale dhe administrative në Shqipëri.

Qeveria zvicerane ka dhënë 500 mijë dollarë amerikan për të vijuar konsolidimin e reformës territorial dhe administrative në Shqipëri. Marrëveshja u nënshkrua sot nga Ambasadori zviceran në Shqipëri, Christoph Graf dhe Përfaqësuesi Rezident i Kombeve të Bashkuara Brian Williams.

“Ky fond i ri do të asistojë bashkitë e reja të cilat dolën nga amalgamimi i njësive të mëparshme të qeverisjes vendore, si pjesë e projektit nga disa donator “Mbështetje për Reformën Territoriale dhe Administrative” – STAR 2. Fokusi është forcimi i kapacitetit menaxhues dhe administrative në nivelin e bashkive për të ofruar më shumë shërbime efiçiente, përfshirëse dhe të drejta”, thuhet në njoftimin e Ambasadës zvicerane në Tiranë.

Projekti, siç thuhet, synon të aftësojë bashkitë për të dhënë shërbime me cilësi më të lartë dhe në një mënyrë të hapur, transparente dhe pjesëmarrëse për të përmbushur pritshmëritë e publikut.

“Së bashku me donatorë të tjerë – BE, Suedia, Bashkëpunimi Italian, USAID dhe UNDP – Zvicra mbështet reformën territorial dhe administrative për shkak të potencialit për të përmirësuar funksionimin e qeverisjes vendore në vend. Kontributi zviceran është vazhdim i një kontributi të mëparshëm financiar prej 700 mijë dollarësh gjatë fazës së parë të projektit STAR”, thuhet më tej në njoftimin zyrtar.

Projekti do të zgjasë tre vjet e gjysmë dhe ka një buxhet prej rreth 8.2 milionë USD. Qeveria shqiptare ndërkaq jep 250 mijë USD për këtë nismë.

“Duke parë rëndësinë e reformës territoriale dhe administrative dhe veçanërisht konsolidimin e 61 bashkive të reja, STAR 2 ka mbështetje nga gjashtë donatorë ndërkombëtarë krahas qeverisë shqiptare”, njofton ambasada zvicerane në Shqipëri.

Qeveria vendore, siç thuhet më tej, akoma ka nevojë të tejkalojë disa sfida serioze dhe i duhen vendime të guximshme për një zbatim efektiv të strategjive decentralizuese administrative dhe financiare. “Projekti STAR 2 i përgjigjet këtyre sfidave përmes fokusit në forcimin e institucioneve vendore, përmirësimin e shërbimeve, dhe promovimin e demokracisë vendore”, thuhet në njoftim, përcjell albinfo.ch.