Kosova
“Zvicra nuk më mungon”, Shani Kadrijaj, fermeri që zgjodhi Kosovën
Pas 13 vjetësh qëndrimi në Zvicër, Shani Kadrijaj vendosi të rikthehej në vendlindje, në fshatin Rastavicë të Deçanit. Sot, ai është një prej shembujve të suksesit në bujqësi dhe blegtori në Kosovë, duke jetuar një jetë të thjeshtë, por të qëndrueshme, bashkë me familjen e tij, shkruan Koha, transmeton albinfo.ch.
Kadrijaj tregon se kishte emigruar në Zvicër për arsye sigurie dhe ekonomike, si shumë bashkatdhetarë të tjerë. Ai dhe familja ishin pajisur me dokumente qëndrimi, por gjendja shëndetësore e rënduar e prindërve dhe malli për atdheun bënë që ai të merrte një vendim të madh: rikthimin në Kosovë.
“Jam kthyer vullnetarisht dhe jam shumë i kënaqur me këtë vendim. Edhe nëse më ofrohet mundësia të rikthehem në Zvicër, nuk do ta pranoja. E kam gjetur vetën këtu”, thotë Kadrijaj, për KOHA.
Me ndihmën e bashkëshortes dhe fëmijëve, ai ka ngritur një ekonomi familjare të qëndrueshme përmes punës në bujqësi dhe blegtori. Kujdeset për 22 krerë lopë, nga të cilat siguron rreth 200 litra qumësht në ditë. Qumështi dorëzohet në pikën grumbulluese në Isniq, ndërsa të ardhurat nga kjo veprimtari i kanë mundësuar shkollimin e gjashtë fëmijëve të tij, transmeton albinfo.ch.
“Vajza e madhe ka përfunduar dy fakultete, njëra në infermieri dhe tjetra në kriminalistikë. Tjetra ka mbaruar infermierinë. Djali ka ndjekur studimet e mjekësisë në Prishtinë dhe tani vazhdon në Berlin. Djali tjetër është hendbollist i kombëtares së Kosovës. Dy binjakët janë ende në shkollë fillore. Me punë të ndershme, gjithçka është e mundur”, rrëfen ai.
Për punët e përditshme, Kadrijaj thotë se dita nis herët dhe mbaron vonë. Ai dhe bashkëshortja zgjojnë rreth orës 5:00 të mëngjesit, për të nisur punën në stallë dhe më pas në tokat bujqësore. Aktualisht, punon rreth 7 hektarë tokë ku kultivon misër, pasul dhe livadhe.
“Jeta në fshat është e mirë për ata që duan të punojnë. Pa ndihmën e familjes, nuk do të mund të arrinim këtë që kemi sot”, shprehet Kadrijaj, transmeton albinfo.ch.
Shani është përfitues edhe i një lope nga organizata humanitare “Mështjerra”, në bashkëpunim me Komunën e Deçanit. Kjo organizatë, me mbështetje nga donatorë irlandezë, ka ndihmuar 100 familje në dy vitet e fundit me nga një lopë për përmirësimin e jetesës në zonat rurale.
“Organizata jonë merret me dhurimin e mështjerrave për fermerët në Kosovë. Bashkëpunimi me komunën ka qenë i suksesshëm dhe kemi arritur të ndihmojmë shumë familje”, tha Florentina Kida Gërguri, përfaqësuese e organizatës.
Ndërkohë, Komuna e Deçanit luan një rol aktiv në mbështetjen e blegtorëve lokalë. Drejtori i Bujqësisë, Rifat Stojkaj, thotë se Deçani është ndër komunat me prodhimtarinë dhe cilësinë më të lartë të qumështit në Kosovë.
Aktualisht, rreth 300 fermerë merren me blegtori në këtë komunë, ndërsa Ministria e Bujqësisë subvencionon 90 euro për çdo krerë lope.
Rasti i Shani Kadrijajt dëshmon se me përkushtim dhe punë të ndershme, jeta në Kosovë mund të jetë e qëndrueshme dhe e suksesshme madje edhe më e pasur në vlera sesa ajo jashtë kufijve, transmeton albinfo.ch.
E-Diaspora
-
Projekti “The Guestkeepers – Miqtë e vizitorëve” nis me fazën e parë të trajnimeve Pjesëmarrësit tashmë kanë filluar të eksplorojnë koncepte kyçe si diplomacia kulturore, standardet bashkëkohore të mikpritjes...... -
Diaspora
Doktorantët e Diasporës 2025, një vit i arritjeve shkencore -
Konsullata e Kosovës në Cyrih: Informohuni për mënyrën dhe procedurat e votimit -
Miratohet unanimisht Marrëveshja për Tregti të Lirë të Kosovës me EFTA -
Mustafa kritikon presidenten Osmanin për takimet me diasporën gjatë fushatës
Jeta në Zvicër
-
Ofertuesi paguan 262,000 CHF për targën “ZH 11” Targa e makinës së Cyrihut “ZH 11” është shitur për 262,000 CHF në një ankand online.... -
Eksportet e orëve zvicerane në krizë -
Gjithçka që ndryshon në jetën në Zvicër nga janari i 2026-ës -
SMG: Qiratë shënojnë rritje pothuajse kudo në Zvicër -
2,500 nënshkrime për rikthimin e TGV Lyria Lozanë–Paris












