Tematike

Zvicra thjeshtëson dëbimin e të huajve me ndihma sociale

Kjo bëhet falë ashpërsimit të qasjes, dhe këmbimit të informatave në mes të enteve sociale dhe atyre të migracionit

Të huajt që marrin ndihma sociale janë gjithnjë më tepër në shënjestër për t`u dëbuar nga Zvicra. Kështu, siç shkruan gazeta “Tages Anzeiger”, toleranca ndaj personave me shtetësi të huaj që janë varur për kohë të gjatë nga ndihmat sociale, po shkon drejt zeros. Përveç ashpërsimit të qasjes ndaj tyre, këtë e bën të mundur edhe këmbimi i përmirësuar i informatave në mes të enteve sociale dhe atyre të migracionit.

Si një ndër rastet e freskëta në këtë drejtim, gazeta përmend rastin e një gruaje turke, e cila ka ardhur në Zvicër në vitin 2006, ku është martuar me një turk, me të cilin, në vitin 2010 kanë sjellë në jetë një vajzë. Pak pas lindjes, gruaja braktis shtëpinë sepse bashkëshorti po e keqtrajtonte fizikisht, me vite. Pas shkurorëzimit të çiftit, Enti për Migracion i Cyrihut sjell vendimin që turkja me të bijën duhet të lëshojnë Zvicrën. Arsyeja: varësia për një kohë të gjatë nga ndihmat sociale.

Dhe ky rast, të cilin e ka regjistruar një shoqatë kundër diskriminimit të të huajve, duket të mos jetë i izoluar. Madje, vetëm në kantonin St. Gallen, sipas ministres për siguri në nivel kantoni, Karin Keller-Sutter ndodhin rreth 90 raste të tilla në vit. Në kantonin e Cyrihut nuk ka ndonjë statistikë rreth kësaj, por tendenca e dëbimit edhe atje është në ngritje. Madje, për të siguruar efikasitet më të lartë, Enti për Migracion në këtë kanton ka shtuar personelin.

Bashkëbiseduesit e gazetës kanë thënë se ndryshimi i ligjit për të huajt, që ka hyrë në fuqi në vitin 2008, obligon entet sociale të dorëzojnë të dhënat e tyre mbi përfituesit e ndihmave sociale dhe kjo ka sjellë ashpërsimin e praktikës ndaj të huajve me ndihma sociale.

Por, jo çdo shfrytëzues i ndihmave sociale është kandidat për tu dëbuar automatikisht nga Zvicra. Po kështu jo të gjitha kantonet kanë një praktikë të tillë rigoroze. Rastet e mosvazhdimit të lejes së qëndrimit në Zvicër vetëm për shkak të marrjes së ndihmave sociale, në kantonet si Baselstadt dhe Bernë janë të rralla. Në të shumtën, për dëbim janë përcaktuese shkaqet tjera si kriminaliteti, mungesa e kooperativitetit etj.

Por, në kantonin e Cyrihut ka një qasje më të ashpër. Para një viti, kantoni dhe komunat janë marrë vesh për shumën e ndihmave sociale për person të huaj, që shkakton dëbimin e tij nga Zvicra. Kjo shumë për personat me leje qëndrimi (B) është 25.000 franga ndërsa për ata me leje të përhershme (C), 40.000 franga.

Po kështu, në secilin rast merret parasysh gjendja e personit të huaj. Te nënat me fëmijë të vegjël, për shembull, të cilat nuk kanë mundësi të punojnë, toleranca është më e madhe. Ndërsa kur ato, edhe pesë vite pasi kanë lindur fëmijë vazhdojnë të marrin ndihma sociale, rreziku rritet. Po kështu personat me vizë C dhe me qëndrim mbi 15 vjet në Zvicër shikohen më me fleksibilitet.

Nga një tolerancë e tillë ka përfituar edhe turkja H., e cila kishte bërë një ankesë kundër vendimit të Entit për Migracion dhe ankesa i ishte pranuar.