Integrimi

A është Bendrit Bajra, mishërim i suksesit të kosovarëve në Zvicër?

"Ka diçka që në Kosovë të bie shumë shpejt në sy: shumë nga ato që këtu kanë pasur sukses, kanë prejardhjen nga Zvicra. Gjithandej shihen makina me tabela të Zvicrës dhe shumë shtëpi të reja, të ndërtuara nga paraja e diasporës. Bendriti është një mishërim i këtij suksesi"

Bendrit Bajra, aktualisht njëri ndër humoristët më të njohur në Zvicër, ka thyer një tabu: atë të kritikave drejtuar bashkatdhetarëve të tij, shqiptarëve dhe ballkanasve të tjerë. Kështu konsideron gazetari i njohur i televizionit publik zviceran srf, Reto Brenwald duke bërë fjalë mbi heroin e ri të videove të përhapura përmes fb-së dhe youtube.

«U pata bërë kureshtar menjëherë pasi pata dëgjuar për herë të parë për Bendrit Bajrën. Një shqiptar nga Kosova, i cili përqesh veten dhe bashkatdhetarët e tij, diçka të tillë unë nuk e kisha parë më herët. Sa herë që bëhet fjalë për të huajt ose, si në këtë rast për «jugot», patjetër puna bëhet delikate, transmeton albinfo.ch. Si të bëhet në mënyrë korrekte dallimi në mes të shqiptarëve të integruar mirë dhe tipave të dhunshëm në mesin e tyre? Ky 19 vjeçar duket se ia ka dalë ta bëjë këtë me humor dhe është evidente që e ka qëlluar nervin», shprehet Brenwald, i cili, i frymëzuar nga shembulli i Bendritit, ka vendsour ta shoqërojë atë drejt Kosovës gjegjësisht Gjilanit, vendit të prejardhjes së të riut me «dy atdhe».

Më tutje gazetari i cili ka realizuar emisionin “Reporter” me Bendritin, shprehet se në Kosovë, ku ka qenë disa herë pas luftës, ka takuar njerëz shumë mikpritës dhe të hapur. «Për ndryshim nga shumë kosovarë të cilët në Zvicër krijojnë tituj negativë në gazeta», shprehet ai, jo dhe pa një dozë paragjykuese, shkruan albinfo.ch.

«Kur e takova Bendritin, mua mu bë e qartë se unë dëshiroja ta vizitoja së bashku me të Kosovën, njërën pjesë të atdheut të tij, për të parë se si sillet ai atje dhe çfarë përparime ka bërë Kosova. Bilanci ishte dëshpërues. Në vitin 2015 rreth 100 mijë shqiptarë të Kosovës e kanë braktisur vendin e tyre, shkalla e papunësisë së të rinjve është rreth 70 për qind.

Edhe kushërinjtë e papunë të Bendritit duan të emigrojnë në Zvicër. Sepse, ka diçka që në Kosovë të bie shumë shpejt në sy: shumë nga ato që këtu kanë pasur sukses, kanë prejardhjen nga Zvicra. Gjithandej shihen makina me tabela të Zvicrës dhe shumë shtëpi të reja, të ndërtuara nga paraja e diasporës, përcjell albinfo.ch. Bendriti është një mishërim i këtij suksesi. Prandaj, në `kantonin e Kosovës` Bendriti është një yll. Ndërkohë, në Zvicër puna duket me dy medalje: në mesin e shumë të rinjve të prirë nga interneti, ai është shumë i dashur. Të tjerët ndërkaq e konsiderojnë atë aspak të këndshëm. Do të jetë interesante të shihet nëse suksesi i tij do të mbetet si jë trend momenti apo do të ketë vlerë të qëndrueshme, përfundon Brenwald.