Kultura

Amatorizmi

Organizimet e gjertanishme amatoreske janë të tejkaluara dhe nuk bëjnë efektet e duhura pozitive. Ështe koha të dalë në skenë gjenerata e re dhe profesionistët në të gjitha fushat.

Nuk janë të pakta veprimtaritë e nduarndurshme amatoreske që organizohen prej vitesh në Zvicër. Si të tilla pothuaj janë bërë rutinore dhe bile në disa raste edhe të bezdishme. Pavarsisht se organizimi i tyre bëhet mbi baza vullnetare dhe janë qëllimmira, koha po dëshmon se viteve të fundit, sidomos nga paslufta, nuk po bëjnë asnjë efekt pozitiv. Në mungesë të futjes së elementit novator, krijues e artistik, gjërat kanë ardhur duke u përsëritur në vazhdimsi dhe sa më shumë që po përsëritën aq më tepër po e humbin karakterin dhe qëllimin në të cilin thirren. Kjo nuk do të ndodhte asnjëherë sikur tubimet e tilla me karakter kombëtar, politik, ekonomik, kulturor e sportiv të ecnin në hap me kohën dhe sidomos të organizoheshin nga profesionistë të këtyre fushave përkatëse të cilët janë me bollëk anë e mbanë Zvicrës.

Kësisoji manifestimet e shumta, nuk po mbështeten nga pjesa dërmuese e mërgimtarëve, sidomos nga gjeneratat e reja. Në tubime të tilla sillen e mbështillen të njejtit njerëz me të njejtat këngë e valle, me të njejtat poezi e pjesë teatrale të cilat tashmë janë të tejkaluara dhe aspak tërheqëse. Nëse organizimet e tilla kanë lujatur rol tepër të rëndësishëm brenda viteve 80-90 dhe kanë pasur për qëllim të vetëm çlirimin e Kosovës, tashmë është koha të mendohet seriozisht për vlerat dhe rritjen e nivelit profesional. Aq më tepër kur në Zvicër ka ardhur një gjeneratë e re, e shkolluar, profilizuar dhe profesionale. Këto vlera padyshim se duhet shfrytëzuar në të mirë të politikës, ekonomisë, kulturës, humanizmit, e segmenteve tjera të jetës në vendin ku jetojmë dhe në Kosovë.

Veprimtaritë çfar organizohen aktualisht, pavarsisht qëllimit shumë të mirë që mund t’a kenë, më tepër po bëjnë efekte të kundërta , ndarje e përçarje, se sa po sjellin diçka të mirë dhe të çëndrueshme në skenë. Të mos keqkuptohem : Askush nuk është kundër qëllimeve të mira dhe punës së madhe të amatorëve. Ama çdo kush duhet ta ket të çartë njëherë e përgjithëmonë se po jetojmë në epokën e konkurencës së vlerave dhe ne shqiptarët nuk guxojmë të numrojmë në vend. Në rrethanat e tanishme globale duhet të lëvizim përpara dhe të sjllemim në tregun evropian vlera të mirëfillta dhe autoktone që përputhen plotësisht me kërkesat e kohës dhe të publikut. Të ruhen si bazament i fortë traditat e mrekullueshme të popullit shqiptar, ama gjithësesi mbi bazen e tyre të krijohen vlera të reja bashkëkohore karshi vlerave të popujve tjerë të civilizuar. Tashmë në mesin e mërgatës shqiptare ka përplotë profesionistë të rinjë, shumë të mirë dhe në të gjithë lemenjtë e jetës të cilët kanë dije dhe mundësi reale t’i qojnë përpara të gjitha proceset.

Të fillojmë pa humbur kohë !