E-Diaspora

Arkitekja shqiptare e Londrës (video)

Ajo kishte ardhur në kryeqytetin e Anglisë në vitin 2010, kurse vetëm katër vjet më vonë, i besohet një projekt ambicioz, rikonstruksioni i njërës prej godinave më të rëndësishme dhe historike në Londër

Një arkitekte shqiptare po e ndërton me sukses karrierën e saj në Londër. Ajo kishte ardhur në kryeqytetin e Anglisë në vitin 2010, kurse vetëm katër vjet më vonë, i besohet një projekt ambicioz, rikonstruksioni i njërës prej godinave më të rëndësishme dhe historike në Londër.

“Old Sessions House”, godina e ndërtuar në shekullin e XVIII dhe që për rreth 100 vite ka shërbyer si Gjykata e Anglisë, është projekti i parë i Dona Hasanaj, projekt të cilin e ka ndjekur nga afër që në fazën e projektimit e deri në zbatimin në kantier, për të kthyer në gjendjen origjinale godinën historike.

“Në maj të këtij viti, ‘Burberry’ shprehu interesin për ta lançuar sfilatën në ‘Old Sessions House’ gjatë javës së modës në Londër. Ishte një mundësi shumë e madhe, për vet faktin që godina do t’i hapej publikut për të parë e prekur nga afër koleksionet e ‘Burberry’ ndër vite”, thotë Dona Hasanaj, arkitekte e “RIBA CR”, Londër, raporton “TCH”.

Hasanaj ka pasur momente, kur edhe e ka menduar të bëjë valixhet gati e të kthehet në Shqipëri, por pasioni për arkitekturën dhe krenaria e të qenit një shqiptare me një peshë të rëndë mbi supe në Londrën e madhe, i ka dhënë forcën të çojë deri në fund projektin e nisur, përcjell albinfo.ch.

“Kanë qenë muaj shumë të lodhshëm dhe stresues, por emocioni që kam përjetuar në natën e sfilatës do të mbetet i paharrueshëm. Ai gëzim dhe ajo krenari më bëri që të harroj çdo moment tjetër, sepse në fund të fundit ne i dhamë jetë godinës”, deklaroi më tej Dona Hasanaj.