Shkurt.ch

Cassis, më i favorizuari për vendin vakant në qeveri

Ignazio Cassis ka gjasat më të mira për tu bërë pjesë e ekzekutivit të vendit. 41 për qind të të anketuarve janë shprehur në favor të tij. Për Pierre Maudet kanë “votuar” 24% ndërsa për Isabelle Moret, vetëm 13%

Më 20 shtator, Asamblea e përbashkët e Parlamentit të Zvicrës bën zgjedhjen e pjesëtarit të ri të Këshillit Federal që do ta plotësojë vendin i cili do të lirohet pas dorëheqjes së ministrit Didier Burkhalter. FDP/PLR, partia e cila duhet ta japë pasardhësin e  saj në qeveri ka nominuar tre politikanë për këtë post, duke ja lënë parlamentit të zgjedhë njerin prej tyre. Fjala është për politikanin nga Kantini i Tiçinos, Ignazio Casis, atë nga Kantoni i Gjeneves, Pierre Maudet dhe politikanen nga Kantoni Vaud, Isabelle Moret.

Në përgjithësi ka mbizotëruar qëndrimi se Casis ka më tepër shanse, nisur nga fakti se vjen nga pjesa italiane e Zvicrës, regjion ky që nga viti 1999 e këndej nuk ka pasur asnjë përfaqësues në Qeverinë Federale, trans,eton albinfo.ch. Pastaj Cassis është edhe kryetar i Grupit Parlamentar të partisë së tij FDP/PLR në Dhomën Nacionale.

Edhe sipas një sondazhi të realizuar nga Tages Anzeiger, Cassis ka gjasat më të mira për tu bërë pjesë e ekzekutivit të vendit. 41 për qind të të anketuarve janë shprehur në favor të tij. Për Pierre Maudet kanë “votuar” 24% ndërsa për Isabelle Moret, vetëm 13%.

Ndonëse pjesëmarrësit në sondazh e kanë favorizuar Cassisin, ata nuk ndikohen nga prejardhja dhe as nga gjinia e kandidatit të tyre të preferuar. Në fakt, 51 për qind të tyre nuk i konisderojnë me rëndësi përkatësitë në fjalë.

Ndryshe nga popullata, shumë parlamentarë e konsiderojnë Cassisin kandidat të preferuar vetëm për shkak të përkatësisë së tij tiçineze. Madje disa prej tyre as nuk e konsiderojnë atë si më të mirin  nga tre kandidatët, por thonë se megjithatë do ta zgjedhin për shkaqe “regjionalpolitike”.