Kultura

Ekspozitë fotosh për jetën pas socializmit në zonën kufitare Shqipëri-Maqedoni

Ekspozita do të mbahet në Univerzitetin e Frajburgut (ang. University of Fribourg, Pérolles II, ground floor) nga data 15 Nëntor deri më datën 28 Nëntor.

Siç mëson portali Strugasot.com, qëllimi kryesor i ekspozitës do të jetë paraqitja e fotografive të një profesori Austrian, Robert Pichler nga Grac, i cili vazhdimisht e ka vizituar rrethinën tonë dhe vazhdon të publikoj për jetën dhe kulturën Shqiptare në Maqedoni, e sidomos për rrethinën e Strugës dhe Ohrit.

Robert Pichler është një fotograf, studiues dhe pedagog i Historisë dhe Antropologjisë së Evropës Juglindore në Universitetin Karl Franzens Grac, Austri. Zonat kufitare mes Shqipërisë dhe Maqedonisë përreth liqenit të Ohrit dhe Liqenit të Prespës janë ndër peizazhet më mbresëlënëse në Ballkan.

Rajoni është karakterizuar edhe me një diversitet të madh kulturor dhe etnik dhe nga zhvillimet e ndryshme shoqërore, ekonomike, politike dhe fetare. Kjo ekspozitë ka për qëllim të sigurojë kuptimin e ndryshimeve komplekse në periudhën e tranzicionit nga komunizmi në ditët e sotme.

Ekspozita gjithashtu paraqet zhvillimet historike, ndryshimet në marrëdhëniet ndëretnike, ndikimi i shumë anshëm i migracionit, ndryshimet arkitektonike, si dhe kulturën dalluese të festimeve në një botë të karakterizuar nga transformimet e thella.

Portali Strugasot.com, për përkrahje të iniciativave të tilla, bën thirrje deri tek e gjithë diaspora e Strugës dhe Ohrit në Zvicër për pjesëmarrje masive në këtë ekspozitë. /Strugasot.com

Për më tepër eventi në Facebook, i krijuar nga Armend Nasufi, për mbështetje të profesorit Austriak, Robert Pichler: http://www.facebook.com/events/129945927156745/