Kultura

Elina Duni sonte në Cyrih

"Këngëtarja shqiptare ka zbuluar një muzikë, e cila, aq sa i qëndron besnike traditës së Evropës lindore aq i lë hapësirë xhazit"

Nesër, më 20 nëntor shfaq koncertin e saj të radhës në Cyrih Elina Duni. Këngëtarja e cila tashmë është bërë emblemë e muzikës xhaz të ndërtuar mbi bazën e folklorit shqiptar, në lokalin e njohur të xhazit “Moods” performon në kuadrin e turneut evropian të saj së bashku me kuartetin që mban po ashtu emrin “Elina Duni Qartet”.

“Elina Duni ka një zë absolutisht fascinues. Këngëtarja me rrënjë nga Shqipëria duket se me kuartetin e saj ka zbuluar një muzikë, e cila, aq sa i qëndron besnike traditës së saj të Evropës lindore, i lë po aq hapësirë edhe interaksionit të xhazit modern.

Ajo prezanton CD-në e saj të re “Matanë Malit” të cilën e ka edituar përmes ECM, të njëjtës platformë për të cilën ka nënshkruar edhe pianisti Colin Vallon”, shkruan veç tjerash në njoftimin në faqen zyrtare të lokalit “Moods” të Cyrihut.

“Elia DUni Quartet” ka këtë përbërje: Elina Duni, (vokal) Colin Vallon (piano), Patrice Moret (bas kitarë) dhe Norbert Pfamatter (bateri).

Koncerti fillon në orën 20.30, ndërsa dyert e sallës hapen nga ora 19.30.