Sport

Ende ka shanse për Bunjakun

Deri pak ditë më parë gjithçka fliste për braktisjen e tij të shpejtë nga Nürnbergu...

Albert Bunjaku, futbollisti shqiptar nga Zvicra, prej disa vitesh luan në bundesligën gjermane për FC Nürnbergun, dhe ka luajtur disa ndeshje edhe për kombëtaren e Zvicrës. Deri pak ditë më parë gjithçka fliste për braktisjen e tij të shpejtë nga Nürnbergu…

Por tash duket se megjithatë shanset e tij për të mbetur në këtë skuadër të bundesligës janë ngjallur sërish. Trajneri i tij, Dieter Hecking ka thënë për gazetën “Bild” se gjasat e gjilanasit të talentuar janë të mira. ”Ne i mbajmë të gjitha opsionet hapur. As për Albertin nuk kemi marrë ende asnjë vendim”, kanë qenë fjalët e tij.

Por mbetet e paqartë nëse për sulmuesin e Nürnbergut do të ketë edhe një ofertë për kontratë të re. Ai vetë thotë: “Për mua tash gjëja më e rëndësishme është që të fitoj rast për përvojë loje. Aktualisht i kam tri oferta nga liga e parë dhe e dyta. Unë jam i bindur se do ta rikthej fuqinë time”.

Bunjaku nuk i ka bjerrë tërësisht as shpresat për angazhim të sërishëm në kombëtaren e Zvicrës.  “Nëse do të filloj sërish të luaj në mënyrë të rregullt, pjesëmarrja në kombëtare do të jetë në mënyrë të natyrshme caku im i dytë i madh”,  ka thënë ai për gazetën “Bild”.

I njohur për shkëlqimin e tij në sezonin 2009-2010 kur kishte shënuar 12 gola në 28 ndeshje, Bunjakun e ka ndjekur një fat jo i mirë. Ai në shtator të vitit 2010 kishte pësuar një lëndim nga i cili as sot e asaj dite nuk ka mundur të çlirohet krejtësisht. Në sezonin e kaluar Bunjaku ka pasur vetëm tri angazhime si rezervist.