Shqipëria

Fëmijët mund të pësojnë dëmtime fizike nga pesha e rëndë e çantës

Një studim i bërë me 1.500 nxënës të moshave nga 9 në 11 vjeç tregon se 60% e tyre kanë rezultuar me shtrembërime në posturë, ndërsa 40% janë ankuar për dhimbje

Pesha e rëndë e çantës së shkollës për fëmijët e klasave të para në Shqipëri mund t`i dëmtojë seriozisht ata. Kështu thonë mjekët të cilët thonë se kjo ndikon jo vetëm në shtrembërimin e boshtit kurrizor.

“Fëmija ashtu siç ka sistemin e shijes mund të ketë të ndërtuar edhe sistemin e lodhjes. Me ato pesha në shkollë ai mund të paraqitet i lodhur dhe me dhimbje, që i shpreh me mungesë vëmendjeje. Dhe mësuesit i etiketojnë pastaj si fëmijë të pavëmendshëm”, ka thënë mjeku Apostol Vaso për TCH.  

Sipas doktor Vasos, një studim i bërë me 1.500 nxënës të moshave nga 9 në 11 vjeç tregon se 60% e tyre kanë rezultuar me shtrembërime në posturë, ndërsa 40% janë ankuar për dhimbje.  Edhe prindërit e fëmijëve kanë shprehur shqetësimin e tyre për këtë problematik.

Në Ministrinë e Arsimit thonë se po diskutohet me botuesit për të lehtësuar peshën e librave.