Futboll

Futbollisti shqiptar dënohet me nëntë ndeshje moslojë në Spanjë

Kartoni i kuq dhe ofendimet në adresë të gjyqtarit, duket se i kanë kushtuar shumë shtrenjtë futbollistit shqiptar Keidi Bare.

Në sfidën e fundjavës më Atletico Madrid B, ku Bare është kapiten, dhe Deportivo La Coruna B, mesfushori nga Fieri është ndëshkuar me karton të kuq, teksa më pas ka shfryrë edhe nervat ndaj gjyqtarit kryesor të takimit, përcjell albinfo.ch.

Ky i fundit ka pasqyruar gjithçka në relacionin e takimit dhe kjo ka bërë që Bare të marrë një dënim shembullor nga Komisioni i Disiplinës.

Ai është dënuar me tetë javë pezullim për ofendimet ndaj gjyqtarit dhe një javë prej kartonit të kuq, duke shkuar në nëntë javë në total.

Natyrisht që ky dënim bën që Bare ta mbyllë sezonin para kohe te Atletico, ndërsa dënimi i gjatë mund t’i shërbejë si një leksion i mirë për sjelljen që duhet të tregojë në fushë.