Bota

Gjermania me rekord ndërtime

Kompanitë e ndërtimit në Gjermani presin që shitjet gjatë këtij viti të rriten me të paktën 4%, duke prekur kështu nivelin më të lartë që prej vitit 1995, thotë shoqata e ndërtimit në vend,

Ky sektor do të vazhdojë të nxisë rritjen e ekonomisë më të madhe të Evropës edhe për këtë vit.

Aktualisht, Gjermania është duke shijuar një bum të ndërtimit, si pasojë e shpenzimeve të larta qeveritare për rrugë dhe ura, si dhe rritjen e investimeve të kompanive në ndërtesa por edhe si pasojë e bumit të sektorit të pasurive të paluajtshme, shkruan “Scan”.

Të gjithë këtë bum në sektorin e ndërtimit e ka nxitur tejmase edhe politika ultra lehtësuese e Bankës Qendrore Evropiane, me normat e interesit mjaft të ulëta.

Gjatë vitit aktual pritet që shitjet e sektorit të prekin shifrën e 117 miliardë eurove, pranë niveleve të bumit të periudhës së pas ribashkimit të dy Gjermanive në vitet ‘90.

Vetëm për ndërtesa rezidenciale pritet që shitjet të prekin vlerën e 43 miliardë eurove. Çmimet ndërkohë projektohen të rriten me 3.5%. Edhe punësimi në sektor pritet të rritet ndjeshëm gjatë vitit.