Zhvillim

Grupet e punës finalizuan Marrëveshjen sociale Kosovë-Zvicër

Palët negociatore u pajtuan që marrëveshjet e arritura të përafohen nga kryesuesit e grupeve të punës në fund të muajit maj në Bernë

Ministria e Punës dhe çështjeve sociale bën të ditur për arritjen e një hapi drejt nënshkrimit të marrëveshjes së re të sigurimeve sociale në mes të Kosovës dhe Zvicrës. “Nga data 24 deri më 27 prill 2017, në Prishtinë u zhvillua raundi i dytë i negociatave për marrëveshje bilaterale në fushën e sigurimeve sociale në mes të Kosovës dhe Zvicrës. Gjatë këtyre ditëve palët arritën të finalizojnë marrëveshjen bazë për sigurimet sociale, marërveshjen administrative për implementimin e marrveshjes bazë, si dhe formularët e nevojshëm për implementimin e kësaj marrëveshje”, thuhet në njoftim.

Palët negociatore u pajtuan që marrëveshjet e arritura të përafohen nga kryesuesit e grupeve të punës në fund të muajit maj në Bernë.

Koha prej një muaji do të nevojitet që marrëveshja bazë, marrveshja administrative, si dhe formularët e dakorduar të përkthehen në gjuhët përkatëse, të kalojnë nëpër procedurat e nevojshme brenda shteteve përkatëse në mënyrë që të përafrohen në fund të muajit maj.

Pas kësaj do të kërkohet nga qeveritë e të dyja shteteve autorizimi për nënshkrimin e marrëveshjes. Në rast të autorizimit pritet që marrëveshja të nënshkruhet nga ministrat përkatës të të dy vendeve gjatë pjesës së dytë të vitit 2017 dhe pastaj të kalojë nëpër procedurat e brendshme të të dy vendeve për ratifikim”, thuhet në fund të njoftimit.