Zhvillim

Hapet “Parku i Aventurave”, i vetmi në rajon

“Parku i Aventurave” është i pari vend argëtimi dhe aventure i kësaj natyre në Kosovë, por edhe në rajon

 

Në një ceremoni zyrtare është bërë hapja e “Parkut të Aventurave” në lagjen Zatra në Pejë, njofton albinfo.ch.

 

“Parku i Aventurave” është i pari vend argëtimi dhe aventure i kësaj natyre në Kosovë, por edhe në rajon.

 

Në këtë park vizitorët kanë mundësinë të shijojnë një sërë platformash ajrore të kategorizuara sipas nivelit të vështirësisë, luhajën e madhe (big swing) me lartësi prej 17 metrash, ecjen në shkallë me litarë, kalërimin dhe aktivitete të tjera në natyrë, thuhet në njoftimin zyrtar.

 

“Të argëtojmë miliona njerëz”. Kjo është motoja që udhëheq punën e biznesit familjar Shtëpia Alpike RANCH që i ka dhënë jetë “Parkut të Aventurave” dhe ka bërë të mundur që tani e tutje vizitorët të kenë një eksperiencë ndryshe në ditët e tyre të lira duke shijuar pamjet mahnitëse të Pejës në të njëjtën kohë, thuhet më tej.

 

Parku i Aventurave” ndodhet në lartësinë mbidetare rreth 780 metra, 2 kilometra larg qendrës së Pejës dhe është i hapur gjatë gjithë ditëve të javës, në orarin 11:00-20:00.