Sport

Kosova me fitore feston titullin

Rrebesh golash në Cyrih, FC Kosova përmbys gjithçka dhe fundos kundërshtarin në minutat e fundit të lojës

6-3 ka qenë fundi dramatik i ndeshjes së fundit të FC Kosovës përball Usterit që ishte përgatitur maksimalisht për t’ia prishur festën Kosovës.

FC Kosova ka zhvilluar të shtunën njërën nga ndeshjet më spektakolare të saj për titullin e kampionit të ligës së dytë ndërregjionale. Kosova e trajnerit Jürgen Seeberger  është përballur me një presion të madh loje para më tepër se dy mijë shikuesve që kërkonin fitoren e ekipit të tyre në lojën e fundit të kampionatit, të rëndësishme për ngjitje në ligën e parë të Zvicrës.

FC Kosova kishte bërë përgatitjet maksimale për t’u përballur ndaj Usterit që po luante ndaj Kosovës lojën e fundi në këtë ligë. Lideri i grupit të gjashtë të ligës ndërregjionale, FC Kosova kishte pritur që kundërshtari i tyre do të provonte të largohej nga liga me një rezultat pozitiv. Prandaj e kishin marrë këtë përballje tejet seriozisht, por presioni i madh i jashtëm vërehej tek lojtarët kosovarë, të cilët megjithë angazhimin, nuk ia dilnin dot të krijonin raste të mira për shënim, përderisa FC Usteri nga dy gjysmëraste, ka shënuar dy herë gjatë pjesës së parë, duke u bërë kështu një arrë e fortë sfiduese për lojtarët dhe publikun kosovar, i cili nuk mund ta besonte dot disanvantazhin e skuadrës së tyre.

„Kjo lojë ka qenë një krim i vërtet, ne nuk startuam ashtu siç kishim planifikuar. Ekipi kundërshtar ka luajtur shumë mirë dhe kjo sfidë na detyroi neve që të mobilizojmë të gjitha forcat për ta përmbysur rezultatin.  Pas presionit të vazhdueshëm të lojtarëve tanë, ata bënë gabime dhe ne i shfrytëzuam rastet me një epilog loje, të pritur, 6 me 3“, u shpreh Arsim Hyseni.

Presidenti i klubit, Hyseni, thotë se nuk e kishte humbur asnjëherë besimin në lojtarët e tij që megjithatë, në fund ata do t’ia dilnin ta fitonin lojën. „Unë s’kam menduar shumë, e kam ditur që do të kthehemi, por jo në këtë mënyrë spektakolare“, deklaroi Hyseni.

Kosova është befasuar tri herë nga kundërshtari me kundërsulme të shpejta. Qysh në minutën e tretë kanë marrë golin zhgënjyes dhe pa kaluar shumë kohë, kosovarët kanë barazuar dhe më pas prapë kanë marrë golin e dytë nga një goditje standarde. Pjesën e parë e kanë mbyllur me rezultat dy me një. Në gjysmën e parë të pjesës së dytë kanë barazuar, por kanë vuajtur më pas duke marrë dhe golin e tretë e duke huqur një penallti.

Loja ka marrë kthesë me golin e tretë të barazimit të shënuar nga Shqiprim Aliu.

Pas kësaj, rrjedha e lojës po merrte një dinamikë tjetër, FC Kosova dhe publiku ishin elektrizuar nga minutat e pakët të lojës që kishin mbetur dhe kërkonin me ngulm golin e fitores. Nuk ka vonuar shumë dhe i njëjti lojtar i golit të tretë, ka shpërthyer me golin e përmbysjes që i siguronte Kosovës rikthimin në ligën e klubeve të mëdha zvicerane.

„Na kurrë nuk e kemi humbur besimin, kemi besuar deri në fund“, thotë Shqipërim Aliu me fanelën numër 9, i cili realizoi golin e barazimit dhe të katërt të avantazhit.

FC Kosova është e vetmja skuadër shqiptare që do të luaj në ligën Parë. Veç kësaj ky klub i madh i shqiptarëve të Zvicrës ka bërë për vete një trajner profesionist gjerman i cili ka ardhur nga ekipi i Challenge ligës, FC Winterthur. Në klubin e kosovarëve ka edhe trajner tjerë zviceranë të juniorëve e lojtarë jo shqiptarë që flasin me admirim për Kosovën dhe shqiptarët miqësor. Ky koloritet i ekipit që mban emrin e vendit tonë, është një dritë e fortë e integrimit dhe marrëdhënieve të shkëlqyera të komunitet shqiptar me vendasit.

Vetë trajneri Jürgen Seeberger, ka deklaruar në fund të  ndeshjes para lojtarëve të tij dhe mysafirëve të shumtë në darkën e fitores,  se ka kërkuar një përvojë të re me një ekip të huaj dhe këtë e kam gjetur në mes të Cyrihur – mes qindra mijëra shqiptarëve që jetojnë këtu. Ju më keni befasuar me përkushtimin dhe bashkëveprimin në të mirë të klubit, i cili për nga ana materiale ndoshta qëndron poshtë ekipeve tjera zvicerane, por nga ana shpirtërore, ju qëndroni lartë dhe jeni të pakrahasueshëm, është shprehur Seeberger.

„Loja ka qenë tejet dramatike dhe ne është dashur të bëjmë kthesën për të arritur fitorën. Kjo fletë për ekipin dhe unë jam tejet krenar, veçmas me lojtarët që kanë pasur pak minuta loje, por që na kanë mbështetur gjatë tërë sezonës. Ne e kemi merituar fitoren“, u shpreh për albinfo.ch në fund të bisedës, trajneri Seeberger.

https://youtu.be/yK10IHxyEho