Zhvillim

Kosova po i pret turistët

Histori, kulturë, natyrë dhe sporte të aventurës janë ato që mund të gjesh në Kosovë, prandaj mbahuni fort dhe përjetoni emocione

Kosova ka shumë bukuri, vende historike e kulturore, dhe i ka kthyer sytë nga turizmi. Turizmi i aventurës, ai etnokulturor janë pikat e forta, me të cilat synohet tërheqja e vizitorëve.

 

Në Gjakovë mund të vizitosh të famshmen lagje “Çarshi” dhe tregun artizanal, kurse Prizreni ofron për turistët një numër të madh atraksionesh, raporton “TCH”.

 

Qyteti gati 2.000-vjeçar ndërthur pjesë të ndryshme të qytetërimeve që ka kaluar. Dëshmi janë kishat katolike, ortodokse – njëra prej të cilave në listën e “UNESCO”-s, xhamitë dhe teqetë. Shoqatat turistike po organizohen që të ketë bashkëpunim mes Shqipërisë dhe Kosovës, e produktet e përbashkëta janë një ide e mirë, përcjell albinfo.ch.

 

“Në të kaluarën kanë munguar ofertat dhe ndërgjegjësimi i turistit shqiptar sa i përket Kosovës”, thotë Albion Idrizi, “Gearsup Solutions”.

 

Eksplorimi i natyrës është ajo që në të vërtetë mund t’i japë një shtysë të madhe turizmit në Kosovë. Këtu, ndryshe nga Shqipëria, pushteti lokal ka më shumë juridiksion përsa i përket turizmit. Në bashkëpunim me shoqatat sportive është hapur shpella e Radacit, në një prej vendburimeve më të mëdha të Drinit të Bardhë.

 

“Kjo është një shpellë e re dhe ka shumë zbukurime, siç i patë edhe vet. Ka stalaktite dhe stalagmite, që iu ofrojnë turistëve një ndjenjë të papërshkrueshme, e pse jo një aventurë e adrenalinë shumë më të mirë sesa në vende të tjera”, tha Melisa Bojku, udhërrëfyese nga shpella e Radacit.

 

Pranë Pejës ndodhet “Parku i aventurave”, ku mund të praktikosh sporte që lidhen me natyrën, ndërsa rrugës drejt Rugovës për të gjithë ata që ushtrojnë “hiking” gjendet një “via ferrata” mjaft interesante, e ndërtuar nga alpinistë italianë në vitet 2000. Interesant është “zip line” më i gjatë në Ballkan, i certifikuar nga autoritetet zvicerane.