E-Diaspora

KSHZ reagon për politikat diskriminuese të Kompanive të sigurimeve ndaj shqiptarëve në Zvicër

Kjo politikë e çmimeve nga ana e sigurimeve është skandaloze dhe diskriminuese. Veç kësaj, kjo politikë nuk është aspak e kuptueshme

Kuvendi i Shqiptarëve të Zvicrës ka reaguar në lidhje me politikat diskriminuese të Kompanive të sigurimeve ndaj shqiptarëve në Zvicër.

Studimi i ri i publikuar nga platforma krahasuese comparis.ch është edhe një dëshmi për atë që dihet që moti: pronarët shqiptarë të veturave paguajnë shumë më shumë për polisat e sigurimeve të veturave se sa pronarët e ngasësit zviceran. Dhe jo vetëm: shqiptarët paguajnë më shumë krahasuar edhe me grupet tjera të të huajve, thuhet në fillim të reagimi, shkruan albinfo.ch.

Kjo politikë e çmimeve nga ana e sigurimeve është skandaloze dhe diskriminuese. Veç kësaj, kjo politikë nuk është aspak e kuptueshme.

“Jemi të vetëdijshëm që tarifat e sigurimeve llogariten në bazë të riskut – grupet që paraqesin rrezik më të madh për dëme në komunikacion paguajnë tarifa më të larta. Fakti që të huajt, e sidomos shqiptarët janë të detyruar të paguajnë më shumë për sigurimin e veturave, nënkupton, pra që kompanitë e sigurimeve shqiptarët i shohin si grupin me rrezikshmërinë më të lartë për të shkaktuar dëme në komunikacion. Një praktikë e tillë është thjeshtë paragjykuese e diskriminuese”, theksohet tutje.

Për më tepër, praktika e kompanive të sigurimeve është edhe jo e logjikshme: Nëse nacionaliteti shqiptar pra na qenka aq i rrezikshëm në komunikacion, ku qëndron dallimi në kualitetin dhe aftësitë e ngasjes së automjetit ndërmjet një shqiptari që jeton në Zvicër me leje qëndrimi B ose C, dhe një shqiptari të natyralizuar (që ka marrë nënshtetësinë zvicerane)?

Nëse para natyralizimit ka qenë vozitës i keq e ka shkaktuar shumë dëme – e kësisoj ka “kontribuar” që shqiptarët paguajnë çmime deri 95 % më të larta se sa zviceranët – a thua është bërë automatikisht vozitës më i mirë e më pak i rrezikshëm, e kësisoj paguan shumë më pak pas natyralizimit? Çka ka ndryshuar konkretisht te ngasësi? Sipas cilave kritere bëhet rivlerësimi i rrezikshmërisë?, është reagimi i Shoqatës shqiptare.

Kompanitë e sigurimeve u kanë borxh klientëve të tyre shqiptarë përgjigje të qarta rreth këtyre shqetësimeve.

KSHZ kërkon transparence të plotë në përllogaritjen e premive të sigurimeve. Në cilat të dhëna e statistika mbështeten kompanitë e sigurimeve kur bëjnë përllogaritjen e tarifave për pronarët shqiptarë të veturave.

KSHZ kaherë ka ngritur zërin kund kësaj padrejtësie dhe do të vazhdojë të angazhohet për barazi dhe eliminim të praktikave diskrimuese ndaj shqiptarëve në Zvicër.