Shqipëria

Ndryshon testi për patentë shofer në Shqipëri

ndryshimet në procedura kanë për qëllim thjeshtimin e pyetjeve por edhe formulimin e tyre në një mënyrë që të përgatisin më mirë drejtuesit

Ministria e Transportit e Shqipërisë ka njoftuar se nga një mars 2018 drejtoria e shërbimit të transportit rrugor do të nisë aplikimin e rregullave të reja në lidhje me testimin e qytetarëve që do të  pajisen me leje për drejtimin e automjeteve.

Kjo drejtori thotë se tashmë është hartuar edhe pyetësori i ri për kategoritë A1, A2, B1, dhe B. “Duke filluar nga data 01.03.2018 e në vazhdim në të gjitha Drejtoritë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor në testimin e kandidatëve për lejedrejtimi, do të aplikojnë testet e reja të formuluara sipas strukturës së miratuar me Udhëzimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës nr.682/4, datë 01.04.2016”, thuhet në njoftim për media.

Sipas tyre ndryshimet në procedura kanë për qëllim thjeshtimin e pyetjeve por edhe formulimin e tyre në një mënyrë që të përgatisin më mirë drejtuesit.