CH-Ballkani

Një muaj paraburgim për të dyshuarin për krime lufte në Kosovë

Një rom, shtetas i Serbisë, me iniciale S. B., akuzohet për krime lufte në Kosovë dhe i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji. Ai ishte arrestuar në Bosnjë e Hercegovinë

 

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar paraburgim prej një muaji, një romi, shtetas i Serbisë, i cili akuzohet për krime gjatë luftës në Kosovës më 1998-1999, raporton albinfo.ch.

Ai u arrestua në Bosnjë Hercegovinë dhe u ekstradua në Kosovë, me kërkesë të palës kosovare.

Ai ishte pjesë e një grupi paraushtarak dhe në mars të vitit 1999 kishin torturuar shqiptarët në Fushë Kosovë, afër Prishtinës. Ata i kishin ndarë burrat nga gratë, kurse më pas një shqiptar është gjetur i vdekur.

Gjykata ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të pandehurit S. B., sepse ekziston rreziku i lartë i arratisjes së të pandehurit, pasi që i njëjti i është shmangur drejtësisë dhe juridiksionit të Kosovës për katër vitet e fundit.

Rreth 10 mijë njerëz kanë vdekur në luftën në Kosovë, derisa 1700 janë zhdukur. Kosova shpalli Pavarësinë më 2008.