Shkurt.ch

Pasaportën zvicerane, vetëm pasi t`i kthesh ndihmat sociale!

Kriteri i cili kërkon që ndihmat e shfrytëzuara sociale gjatë 10 viteve të kaluara duhet të kthehen, ka hyrë në kushtetutën e Kantonit të Bernës në vitin 2013

Kantoni i Bernës ka vepruar konform ligjit kur i ka refuzuar dhënien e nënshtetësisë zvicerane një familjeje irakiane-pakistaneze. Ky refuzim ishte bërë për shkak se kjo familje kishte marrë ndihma sociale për një kohë të gjatë dhe nuk i kishte kthyer ato pasi që ishte pavarësuar ekonomikisht.

Vendimin që u jep të drejtë autoriteteve të Bernës e ka marrë Gjykata Federale, si shkalla më e lartë e gjyqësisë zvicerane, shkruan srf.ch.

Kriteri i cili kërkon që ndihmat e shfrytëzuara sociale duhet të kthehen, ka hyrë në kushtetutën e Kantonit të Bernës në vitin 2013, transmeton albinfo.ch. Madje, në një urdhëresë të tij, kantoni në fjalë precizon  se duhet kthyer ndihma sociale e shfrytëzuar dhjetë viteve të fundit. Ndërkaq, edhe pse në nivel federal kjo kërkohet vetëm për tri vitet e fundit, Gjykata Federale e ka konsideruar si veprim të rregullt kërkesën e kantonit për kthimin e parave të dhjetë viteve të fundit, përcjell albinfo.ch.

Në fund të vendimit, Gjykata Federale ka theksuar se çifti i përmendur mund të bëjë kërkesë të serishme për natyralizim.