Bota

Pronari i një restoranti: “Të gjithë myslimanët janë terroristë!”

Ai ka thënë se njëri nga miqtë e tij ka vdekur në sallën e koncerteve Bataclan, ku ndodhi sulmi terrorist në nëntorin e vitit të kaluar

Pronari i një restoranti në një lagje të Parisit ka refuzuar t’u shërbejë dy myslimaneve, duke u thënë se të gjithë “myslimanët janë terroristë”, shkruan “BBC”.

Incidenti ka ndodhur të shtunën në mbrëmje, ndërsa një femër e pranishme ka xhiruar ngjarjen dhe e ka postuar atë në rrjete sociale, përcjell albinfo.ch.

Në xhirim shihet se si pronari i restorantit flet me gratë që bartin ‘hixhab’ se nuk dëshiron që në restorantin e tij të jenë “terroristët myslimanë”.

Pas këtij incidenti raportohet se aty u mblodhën një grup njerëzish në shenjë proteste, ndërsa pronari ka thënë se i vjen keq për sjelljen e tij.

Sipas tij, situata është nxehur për shkak të tensionimeve rreth bartjes së burkinit, një veshje kjo e larjes që mbulon tërë trupin në plazhet e Francës.

Po ashtu ai ka thënë se njëri nga miqtë e tij ka vdekur në sallën e koncerteve Bataclan, ku ndodhi sulmi terrorist në nëntorin e vitit të kaluar.