Kosova

Rama: S’ka kufi mes Shqipërisë dhe Kosovës

Kryeministri shqiptar theksoi se në kuadër të Vitit të Skënderbeut, do të vijë edhe modernizimi i kufirit me Kosovën

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se kufiri në mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk duhet të jetë torturë dhe qytetarët e Kosovës duhet ta kalojnë pa asnjë problem.

Rama theksoi se në kuadër të Vitit të Skënderbeut, do të vijë edhe modernizimi i kufirit me Kosovën, përcjell albinfo.ch.

“Ne duam që më 1 janar (2018), kufiri i Shqipërisë me Kosovën, të mos jetë më një torturë për bashkë-atdhetarët tanë nga ana tjetër e kufirit, sidomos në periudhën e pikut, por të jetë një kufi që të kalohet siç kalohet normalisht mes Gjermanisë dhe Francës. Besoj që mund ta bëjmë këtë gjë, që t’i çlirojmë më në fund njerëzit”, ka thënë Rama për “TCH”.

Sa i takon politikës së jashtme, në 4-vjeçarin e ardhshëm, Rama u shpreh optimist për zgjidhjen e disa çështjeve shumë të rëndësishme me Greqinë.

“Në tavolinë është çështja e ligjit të luftës, çështja e lëvizjes së lirë, çështja e varrezave. Ka një vetëdije, edhe nga pala tjetër, që këto janë çështje që nuk mund të vazhdojnë të sillen nëpër këmbët tona dhe të na dalin përpara sa herë që ka një agjendë politike të nxehtë”, theksoi Rama.