Kultura

SHKA “Dardania” u prezantua në Festivain e muzikës në Zürich

© foto: Orkestra e SHKA “Dardania” gjatë pikave të veta të valles instrumentale Të shtunën e fundit në Zürich u mbajt festivali i muzikës së përzier me zhanre dhe nacionalitete të ndryshme që jetojnë dhe veprojnë në Zürich.

© foto: Orkestra e SHKA “Dardania” gjatë pikave të veta të valles instrumentale

Të shtunën e fundit në Zürich u mbajt festivali i muzikës së përzier me zhanre dhe nacionalitete të ndryshme që jetojnë dhe veprojnë në Zürich.

Motoja dhe qëllimi i këtij festivali ishte këmbimi dhe përvojat e muzikave dhe kulturave muzikore të popujve dhe nacionaliteteve të jetës dhe veprimtarive të shoqatave, grupeve dhe shoqërive të ndryshme të muzikës popullore, folklorike, e aty-këtu edhe të zhezit.

Këtë vit festivalin e organizoi “Vert.igo Musik Festival” në kuadër të qytetit të Zürichut dhe byroja për integrimin e nacionaliteteve të ndryshme në zonën industriale në rrugën Bändlistrasse 86, pranë qendrës integruese Fabrik Quartier.

Në kuadër të shoqërisë kulturore-artistike “Dardania” morën pjesë: Nezir Hyseni (sharki), Hamit Shillova (meshnica), Ruzhdi Hajrizi (qifteli), Hisen Abazi (def) dhe Arbër Jetullahu (qifteli), të cilët prezentuan kulturën dhe traditën muzikore përmes këngës dhe valleve autoktone të travave tona.

Sipas përgjegjësit të këtij festivali, Dominik Siegmann, këtë vit ishte paraparë të merrnin pjesë 7 grupe apo shoqëri të ndryshme, si: SHKA “DARDANIA”, e cila ishte për ne një risi dhe një paraqitje shumë interesante, me veglat që ndoshta nuk kemi pasur mundësi t’i dëgjojmë kështu të gjalla dhe ne jemi befasuar me vallet dhe këngët që u interpretuan nga orkestra pa nota dhe vërtet për mua ishte një mrekulli sesi mund të koordinoheshin aq mirë instrumentalistët pa pasur as nota, as tekste npërpara, prandaj ju lumtë, se vërtet kishin një orkestër të shkëlqyer.

Mandej po ashtu edhe grupi nga kurdët që prezentuan këngë dhe valle autoktone pati një prezentim të denjë, edhe pse kishin ardhur nga Jura, ne i përcollëm ata me një vëmendje të veçantë, fyellin e tyre melankolik që kënaqi të pranishmit në sallë.

Kishte edhe pjesë nga muzika e xhezit, ku gërshetoheshin muzikat e llojeve të ndryshme dhe diskutohej se çka mund të kombinohet prej të gjithave këtyre. Për disa zviceranë muzika shqiptare dhe ajo turke ishte vështirë të dallohej, sepse mendonin se kanë shumë ngjashmëri, por për ne si shqiptarë, edhe pse kryetari i shoqërisë u shpjegoi edhe veglat, edhe muzikën dhe prejardhjen e tyre, të tillët që dëgjonin për herë të parë muzikën e traditës shqiptare ishte pak e vështirë t’i bindim se ka shumë dallim në mes të muzikave dhe veglave.

Pjesa spanjolle që luhej dhe ekzekutohej me një kitarë si traditë e tyre e veçantë, po ashtu la të kuptohet se te popullata spanjolle dominon muzika latine dhe kitarja me zërin e saj.

Kryesia e organizatorëve dhe Dominim Siegmann duke duartrokitur

Siç na tha edhe udhëheqësi i orkestrës së SHKA “DARDANIA”, zoti Nezir Hyseni, pjesëmarrja jonë në këtë festival tregon më shumë se vetë publiku që na duartrokiti, edhe pse jo në numër të mjaftueshëm, për ne ishte një festival që ia ka vlejtur të jemi pjesëmarrës dhe të paraqesim kulturën tonë me këngë dhe valle instrumentale.

Të këtij mendimi ishin edhe pjesëmarrësit e tjerë në këtë festival, me çka tregoi se njoftimi me kulturat e tjera është një përvojë që duhet zhvilluar në çdo hap.

Atmosfera dhe ambienti le të kuptojmë se organizatori ka pasur për qëllim edhe të bashkëbisedohet dhe të zhvillohet edhe një kulturë me paraqitjen e ushqimeve që nuk munguan as kësaj here.