Shqipëria

Shokuese: Gjykata Supreme kroate lejon ekstradimin e “Ballistit” në Serbi

Gjykata Supreme e Kroacisë konsideron se janë përmbushur të gjitha kushtet ligjore për ekstradimin e “Ballistit” në Serbi. Por, vendimin përfundimtar për ekstradim e merr ministri i Drejtësisë

Gjykata Supreme e Kroacisë ka lejuar ekstradimin e Ismail Morinës – Ballistit në Serbi. Ai kërkohej nga Serbia për shkak të lansimit të një droni, që sipas drejtësisë serbe ka shkaktuar trazira në ndeshjen futbollistike ndërmjet Serbisë e Shqipërisë më 2014. Por, vendimin përfundimtar do ta marrë ministri i Drejtësisë, raporton agjencia kroate e lajmeve, Hina

Morina, sipas fletarrestit, u kap në qershor të sivjetshëm në territorin e Dubrovnikut.

Serbia atë e ngarkon se para tri vjetësh duke dirigjuar një dron që, sipas autoriteteve serbe, kishte mesazhe nacionaliste që pasqyrohej përmes hartës së Shqipërisë së Madhe, për ç’arsye qe ndërprerë ndeshja futbollistike midis përfaqësueseve të Serbisë e të Shqipërisë në Beograd, për pasojë ndodhën trazira midis tifozëve, transmeton koha.net.

Gjykata e Qarkut e Dubrovnikut lejoi ekstradimin e tij në Serbi që në korrik të sivjetshëm, kur u konstatua se janë përmbushur kushtet gjyqësore, por pas ankesës së Morinës në Gjykatën Supreme e anuloi këtë vendim dhe rastin e ktheu për rigjykim. Edhe në procedurën e ripërsëritur Gjykata e Dubrovnikut lejoi ekstradimin.

Por, Morina sërish u ankua, ndërsa Gjykata Supreme vendosi që ankesa e tij ishte e pabazë, përkatësisht se janë përmbushur të gjitha kushtet ligjore për ekstradim. Por, vendimin përfundimtar e merr ministri i Drejtësisë, thekson Hina.

Sipas një informate jozyrtarem Morina në ndërkohë ka kërkuar azil në Kroaci, që do të mund të ndikonte në vendimin përfundimtar për ekstradim.