CH-Ballkani

Shqiptarët në Mal të Zi dënojnë sulmin ndaj ambasadës amerikane

Shqiptarët në Mal të Zi shprehin habi dhe indinjatë për sulmin ndaj ambasadës amerikane.

Ne qytetin e Tuzit, pak kilometra larg Podgoricës, banojnë shumë shqiptarë të Malit të Zi. Ata thonë se janë tronditur nga sulmi me bomba ndaj ambasadës amerikane dhe thonë se ishte një sulm terrorist kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shkruan “TCH”.

Mesazhe vijnë nga Nikoll Camaj, kryetar i Lidhjes Demokratike, i cili shprehet se sulmi ishte një eksperiment i rëndë, por i dështuar, përcjell albinfo.ch.

Edhe kryetari i Kuvendit Komunal të Tuzit, Fadil Kajoshi dënon sulmin. “Askush nuk e do diçka të tillë. Aq më mirë që nuk është shqiptar sepse dihet qëndrimi i shqiptarëve për SHBA”, u shpreh Kajoshi.

Ndërsa nënkryetari i Alternatives Shqiptare, Nik Gjeloshi, e quan një akt terrorist jo vetëm kundër Shteteve të Bashkuara te Amerikës, por dhe Shqipërisë e shqiptarëve.

“Në këtë drejtim e kemi dënuar si një akt terrorist të një personi që ka qenë i dekoruar nga Millosheviq”, u shpreh Nik Gjeloshi.