Shqiptarët e Zvicrës dhe Islami

Shqiptarja e mbuluar me shami, që ndihmon integrimin e të huajve në Zvicër

Njihuni me studenten e judikaturës, bijën e një hoxhe, e cila udhëheqë projekte të integrimi për të huajt në Zvicër

Rruga e thelllimit  të gruas së re shqiptare, Lejla Medii Dauti, ka nisur me emigrimin e saj në Zvicër. Në ditën e parë që ka hyrë në Zvicër, në moshën 17 vjeçare, ajo ka mbuluar kokën sipas traditës islame. Para mbylljes në shtëpi e shkëputjes së kontaktit me pjesën tjetër të botës, ajo zgjedh rrugën e ballafaqimit me sfidat e jetës në një vend me traditë të krishterë e të panjohur për të.

Pas 15 viteve në Zvicër, Lejla jeton me bashkëshortin, Jaminin dhe dy fëmijët Anarin dhe Linën në qytetin Rorschach. Me shami në kokë ajo bën sot e sa vite punën e një lloj mësueseje për ata të huaj që kërkojnë mënyrat më adekuate e më të shpejta të integrimit.

Përveç kësaj, Lejla Medii Dauti është e bija e imamit të xhamisë shqiptare në Rorschach. Pra është rritur dhe edukuar në frymë fetare. Në rrethana paragjykuese, shumëkush do të pyeste si ka mundësi të më mësojë dikush për integrimin kur nga veshja duket se as vetë nuk e kuptuar mjaftueshëm!?

Në bashkëbisedim me të, vërehet se shamia nuk e pengon atë të flasë hapur  e pa paragjykime. Mbulesa për të nuk ka qenë asnjëherë pengesë që të ballafaqohet me njerëz  e kultura të ndryshme në kuadër të punës që ajo bën në zyrat e Integrimit në St. Gallen. Në ARGE ajo tani është udhëheqëse e projekteve dhe këshilltare në këtë institucion kantonal. Krahas kësaj, Lejla punon edhe si përkthyese dhe njëkohësisht është në fund të studimeve master në Universitetin e St. Gallenit, në drejtimin juridik.

albinfo.ch: Si e vlerësoni në këtë periudhë praktikimin e fesë islame?

Lejla Dauti: Koha më e keqe e përjetimit të islamit për mua ka qenë kur kam ardhur në Zvicër. Isha në moshën 17 vjeçare dhe një vit më vonë ndodhi  sulmi në „Tween Towers“. Atëherë ka qenë shumë keq për mua sepse, e para, duhej të integrohesha në Zvicër, nuk i njihja strukturat dhe ndjeja gjithnjë se po flitet diçka keq për ne dhe po përceptohesha pak më ndryshe nga që isha. Mirëpo koha kaloi dhe ajo ishte shtytja që unë të angazhohesha më tepër në integrim, në dialogun ndëretnik dhe ndërfetar.

albinfo.ch: A mund të themi se me këtë pamje e me këtë veshje që keni, ju po e jetoni fenë islame?

Lejla Dauti: Jam rritur në frymën islame sipas porosive profetike duke mbajtur rrugën e mesit, as shumë djathtas, as shumë majtas, por në rrugën e mesit me një arsye të shëndoshë që të mund ta kuptojë secili njeri. Ato që më ka nxitur të informohem më tepër për islamin janë pikërisht ngjarjët që kanë ndodhur në Evropë e botë.

albinfo.ch: Kur ke filluar ta mbash shaminë?

Lejla Dauti: Shaminë e mbaj prej moshës 17 vjeçare. Nga dita e parë që kam ardhur në Zvicër.

albinfo.ch: Pse e e mban, je e detyruar, çfarë kuptimi ka kjo për ty?

Lejla Dauti: Sipas fesë islame, secila femër që mban shami duhet të vendosë vetë. Unë kam kaluar një proces personal me fenë dhe jam marrë me të jo se jam vajza e hoxhës, sepse unë nuk jam rritur me hoxhën. Hoxha pra, babai, ka qenë gjithnjë në Zvicër. Ky është vendimi im personal. Guxoj ta vendosi vetë dhe guxoj edhe ta heq nëse dua, pra është pjesë personale e imja. Kurse momentin e duhur për t’u mbuluar e kam parë në Zvicër sepse ishtë një ndryshim i madh i vendit dhe i rrethit.

albinfo.ch: A nuk e ka vështirësuar ky vendim jetën tuaj edhe më tepër, duke pasur parasysh se jeton në një mes të botës së krishterë?

Lejla Dauti:Natyrisht se është më vështirë në qoftë se e bart mbulesën, mirëpo unë nuk ik nga sfidat e jetës.

albinfo.ch: Megjithatë ka raste kur ata që janë të bindur thellë në fe, ndjehen të provokuar thuasje nga çdo gjë që nuk u pëlqen atyre.

Lejla Dauti: Kjo paraqitet shpesh tek rrethet apo qarqet që i dëgjojmë se janë të përfshirë në terrorizëm, janë njerëz të cilët kanë pasur probleme të mëdha sociale në jetë. Këta njerëz nuk ndjehen të pranuar në shoqëri, kanë probleme të integrohen në shoqëri, pavarësisht prejardhjes, sepse integrimi nuk ka të bëjë gjithnjë me të huaj. Njerëz të këtillë nuk shohin tjetër reagim, pos atij të hakmarrjes.

albinfo.ch: A do të thuash me këtë se ekstremistët fetarë, janë persona labilë që nuk kanë arritur të krijojnë vend në asnjë shoqëri apo rreth?

Lejla Dauti: Njerëzit të cilët radikalizohen dhe i kthehen një ekstremi, pavarësisht a është ektremizëm fetar apo ideologjik, janë gjithnjë njerëz të cilët kanë rënë shumë poshtë në jetë. Ka edhe studime shkencore mbi këtë fenomen sepse edhe ekstremistët myslimanë që i shohim këtu në Evropë apo në vende të tjera, kam pasur mundësinë të hetoj se gjithnjë janë ata të rinj që më parë kanë qenë rrugëve shumë të këqija, si të drogës, kriminalitetit dhe të tillë që e kanë humbur tokën nën këmbë. Personat e këtillë, i kthehen diçkaje që i mban lartë dhe për ta është diçka që nuk e kanë pasur në jetë asnjëherë, që të mbështeten e të kenë diçka të fortë që ua legjitimon atyre çdo vepër. Për shembull të vrasin, siç ndodhi tani në Paris. Pra këta njerëz e bëjnë këtë akt terrorist duke u thirrur në anën fetare, por më tepër sesa vrasës nuk mund të jenë. Dhe as feja islame dhe asnjë fe tjetër nuk i akcepton vrasjet dhe nuk i legjitimon ata si të tillë.

albinfo.ch: Si i gjykoni vrasjet që po ndodhin në emër të Allahut?

Lejla Dauti: Në ditën e parë që kam dëgjuar për vrajset në Paris kam qenë e shokuar. jo pasi, në radhë të parë kam menduar, si mund të vritet një njëri për diçka kaq banale. Pavarësisht se sa lënduese mund të duket për një besimtar një karikaturë e pejgamberit, kjo nuk guxon të ndodhë. Nuk është njerëzore të vrasësh dikë për një karikaturë. Vetë pejgamberi ynë ka përjetuar lëndime të ndryshme, por ai nuk ka reaguar ndaj atyre lëndimeve.

Gjykimi im është shumë i qartë, ata janë vrasës. Me gjithë thirrjet e tyre, “Zoti është i madh” apo „Allahu Ekber“, kjo nuk e legjitimon asnjëherë veprën që e kanë bërë. Asgjë në këtë botë nuk e legjitimon vrasjen e një njeriu.

albinfo.ch: Nëse do të ishte në doren tuaj, çfarë do të ndryshonit në fenë islame?

Lejla Dauti: Nuk është problemi i islamit, është problemi i myslimanëve, duhet ta bëjmë dallimin. Ka një dallim ndërmjet islamit dhe myslimanit. Mediet shkruajnë se duhet të reformohet islami, mirëpo askund në islam nuk e gjen detyrimin për ta vrarë dikënd se je lënduar nga ai apo diçka tjetër. Ne kemi shumë burime profetike e kuranore ku shkruhet se nuk bën të vritet asnjë njëri. Problemi është te njerëzit dhe jo te islami.

albinfo.ch: Cilat janë lutjet tuaja në gjuhën shqipe?

Lejla Dauti: Lutjet e mia fillojnë gjithnjë me falënderimin e Zotit për të gjitha të mirat që na i ka dhënë dhe lutem në mënyrë specifike të më udhëzojë në rrugën e drejtë, të më ndihmojë për provimet (qeshet) që i kam tash.

albinfo.ch: Po për Skënderbeun e nënën Tereze çfarë mendimi ke?

Lejla Dauti:: Skënderbeu ka qenë hero kombëtar dhe ai mbetet hero kombëtar edhe pse ai ka luftuar edhe për aspirata fetare të krishtera. Por kjo duhet të shihet në kontekst të historisë, sepse shqiptarët e asaj kohe kanë qenë të krishterë. Po ashtu është nëna Tereze që njihet në mbarë botën për atë që ka bërë dhe ne mburremi me të si shqiptare. Unë gjithnjë e them me mburrje se nëna Tereze ka qenë shqiptare.

albinfo.ch: Si duket jeta profesionale e një gruaje të re ne Zvicër që jeton e mbuluar me shami?

Lejla Dauti:Unë nuk e kam pasur asnjëherë problem shaminë në jetën profesionale apo në jetën akademike. Nëse ndonjüeherë kam mundur të vërej ndonjë problem, atëherë ai vjen nga mediet që stigmatizojnë myslimanët, ku njeriu krijon përshtypjen se ne e kemi shumë keq këtu. Mirëpo realiteti duket pak më ndryshe, sepse në këtë shoqëri ka shumë njerëz të arsyeshëm që mendojnë edhe në mënyrë të diferencuar.

albinfo.ch: A ka një “No-Go” të madhe për ju si myslimane?

Lejla Dauti: Për mua një “No-Go” e madhe është ekztremizmi në secilin drejtim.

 

Lejla krenohet me Nënë Terezën dhe e konsideron Skënderbeun hero kombëtar 

“Skënderbeu ka qenë hero kombëtar dhe ai mbetet hero kombëtar edhe pse ai ka luftuar edhe për aspirata fetare të krishtera. Por kjo duhet të shihet në kontekst të historisë, sepse shqiptarët e asaj kohe kanë qenë të krishterë. Po ashtu është nëna Tereze që njihet në mbarë botën për atë që ka bërë dhe ne mburremi me të si shqiptare. Unë gjithnjë e them me mburrje se nëna Tereze ka qenë shqiptare.”