Kultura

Shyhretja përlot publikun dhe jurinë e spektaklit “Supertalent 2011”

Shyhrete Marolli dëshiron që përveç suksesit në skenë të arrijë edhe diçka tjetër, tepër të rëndësishme për të: të gjejë nënën e saj.

Në turin e ri të spektaklit “Supertalent” 2011 që e emeton stacioni RTL, sërish një pjesëmarrëse shqiptare e Kosovës me qëndrim në Gjermani ka prekur zemrat e shikuesve dhe të jurisë. ShyhreteMaroli, 28 vjeçe, nënë e tre fëmijëve, përveç me këndimin e bukur, në zemrat e publikut ka hyrë edhe me rrëfimin e saj të dhimshëm jetësor.

Para njëzet vitesh ajo bashkë me babanë e saj ka ardhur si vajzë e vogël në Gjermani. E ëma atëbotë kishte mbertur në Kosovë, dhe prej atëherë Shyhretja nuk e ka parë më as ka dëgjuar për të. Ajo thotë se ka vuajtur shumë duke duruar rrahjet dhe keqtrajtimet nga njerkat e ndryshme gjatë viteve sa ishte te babai. Ajo thotë se “as armikut nuk do t`ia dëshironte një fat të tillë”.

Rrëfimi i saj dhe përlotja në skenë, ka nxitur lotët edhe te publiku dhe te juria, madje edhe te vet kryetari i jurisë, Dieter Bohlen.

Ndërkohë, Shyhretja është një grua 28 vjeçare dhe ka tre fëmijë, për të cilët thotë se janë e gjithë pasuria që ka në këtë botë.

Me pjesëmarrjen e saj në Supertalent 2011, Shyhrete Marolli dëshiron që përveç suksesit në skenë të arrijë edhe diçka tjetër, tepër të rëndësishme për të: të gjejë nënën e saj. Ajo beson se e ëma jeton diku në Gjermani dhe se do ta dëgjojë e do t`i paraqitet.

Në xhiron e parë, falë këndimit të bukur por edhe rrëfimit prekës, Shyhretja ka marrë dritën e gjelbër për të shkuar më tutje: tri herë Po nga të tre anëtarët e jurisë.