Integrimi

Sistemi arsimor i Zvicrës, sistem mundësish për të gjithë

Në ligjëratën "Sistemi arsimor në Zvicër" të organizuar nga shoqata "Parandalo", ky sistem është trajtuar nga njohësit e tij, duke iu qasur nga perspektiva e shqiptarëve

Shaban Haliti është mbikëqyrës shkollash në Oppfikon-Glattbrugg të Cyrihut. Por çfarë bën një mbikëqyrës shkollash, cili është roli i tij, dhe si zgjidhet apo emërohet një njeri në një funksion të tillë? Një numër i pjesëmarrësve të ligjëratës “Sistemi arsimor në Zvicër” të organizuar në Cyrih nga shoqata “Parandalo” po njiheshin për herë të parë me ekzistimin e këtij funksioni.

Ndërkaq, në ligjëratën e përmendur që u mbajt të dielën, publiku pati rastin të njihej edhe me shumë hollësi të funksionimit të sistemit arsimor të Zvicrës. Ligjërueset: Marigona Dauti, mësuese e shkollës fillore dhe Arbnora Aliu, studente e shkencave të edukimit, krahas Shaban Halitit, kanë sqaruar në hollësi mënyrën e funksionimit shpeshherë të ndërlikuar por gjithmonë efikas të sistemit arsimor të Zvicrës.  

Të pranishmit i kanë përshëndetur kryetarja e shoqatës, Valdete Hoti dhe veprimtarja e njohur humanite Annelies Schneller.

Marigona Dauti ka shpalosur përvojën e saj si mësuese në shkollën zvicerane në disa kantone. Këtë përvojë ajo e ka ballafaquar edhe me qasjen e shqiptarëve të Zvicrës ndaj shkollës së këtushme, qasje kjo që Marigona e njeh fare mirë nga familja e saj dhe rrethi ku është rritur. Ajo ka bërë përpjekje të heqë disa paragjykime që ekzistojnë te të huajt, pra edhe te shqiptarët, për sistemin shkollor zviceran, që lindin kryesisht nga mosnjohja e këtij sistemi. Fjala është te mungesa e objektivitetit ose te “pengimi” që mësimdhënësit zviceranë u bëjnë fëmijëve me prejardhje të huaj në avancimin e tyre shkollor etj.  

“Për t`u bërë mësues në Zvicër duhet punë dhe verifikim i madh, prandaj mësuesit e këtushëm janë shumë mirë të përgatitur. Por është është fakt se edhe mësuesi mund të jetë subjektiv dhe nuk mund të përjashtohet ndonjë gabim i tij në vlerësimin e nxënësve”, ka thënë M. Dauti. Nga ana tjetër është gjë e ditur se fëmijëve me prejardhje të huaj u nevojitet angazhim më i madh se atyre vendës për të arritur te rezultati i njëjtë. Kjo, jo për faktin se janë të huaj por për faktin se zakonisht u takojnë familjeve me status më të ulët social e arsimor”, ka shtuar ajo.

Ligjëruesja po ashtu ka bërë përshkrimin e sistemit shkollor të Zvicrës, duke filluar nga mosha parashkollore e deri te shkolla e mesme, me ç`rast është ndalur te specifikat që ky sistem ka në krahasim me vendet e prejardhjes të shqiptarëve.  

Shaban Haliti në cilësinë e mbikëqyrësit të shkollave ka njohur publikun me funksionin e tij që është specifik për sistemin arsimor zviceran dhe që, si i tillë, nuk është  i njohur jo vetëm në Ballkan por as në shumicën e vendeve të Evropës Perëndimore. Në këtë funksion, që në Zvicër njihet nga viti 1830, njerëzit zgjidhen politikisht, gjegjësisht kandidimi bëhet në kuadrin e zgjedhjeve lokale, ashtu siç ka kandiduar dhe është  zgjedhur para afërsisht një viti z. Haliti.

Mbikëqyrësi i shkollave gjegjësisht Këshilli Mbikëqyrës ka një sërë përgjegjësish që ndryshojnë nga ato të drejtuesit të shkollës. Ndër detyrat strategjike të tij janë: definimi i kornizave të programit shkollor, përcaktimi i formës së programit shkollor, iniciimi i përpilimit të konceptit pedagogjik të veçantë për nxënësit me nevoja të veçanta etj. Ai po ashtu cakton rregullat e drejtimit të personelit, cakton detyrat e drejtuesit të shkollës, punëson dhe largon nga puna personelin etj., ka sqaruar Sh. Haliti.

Ndërsa Arbnora Aliu ka bërë një hyrje në fushën e sistemit të shkollimit të lartë në Kantonin e Cyrihut. Shtyllat e këtij sistemi janë Universiteti i Cyrihut dhe ETH (Universiteti teknik) pastaj edhe Shkolla e Lartë Pedagogjike dhe shkollat e larta profesionale. Në universitet dhe në ETH mund të arrihet rrugëve të përcaktuara qartë, në varësi nga shkollimi i kryer paraprak. Por, siç ka thënë Aliu, edhe ky sistem është fleksibël dhe të rinjtë mund të arrijnë synimet e tyre edhe përmes rrugëve alternative. Ato sigurisht marrin më shumë kohë dhe mund por secili ka mundësi të zgjedhë dhe ndryshojë përcaktimin për profesionin.

Gjimnazi është parakushti kryesor për të studiuar por ka edhe mundësi të tjera që të studiohet pa mbaruar gjimnazin, ka sqaruar Aliu. Ajo po ashtu ka treguar për mundësitë që kanë studentët që të marrin bursa, qoftë nga shteti apo edhe nga fondacione të ndryshme.

Në përmbyllje të ligjëratës, Arta Neziri ka bërë një prezantim të shkurtë të projektit të grupit të lojës “Musicus” që është duke u realizuar në Volketswil të Cyrihut.

Ndërsa Adamo Antoniadis nga Zyra e Qytetit të Cyrihut për Integrim ka shpalosur  për të pranishmit ofertat që ka kjo zyrë për të huajt. Rreth 80 për qind e ofertës për integrim është në fakt ofertë për mësimin e gjuhës gjermane për të huajt e ardhur rishtas në Cyrih, ka theksuar Antoniadis. Por edhe mbështetja e projekteve të ndryshme për integrim të komuniteteve të huaja, siç është në këtë rast edhe mbështetja e shoqatës “Parandalo” bën pjesë në planin e detyrave të zyrës së përmendur, ka thënë ai.

Si t`i tërheqim ata që kanë më shumë nevojë për informim?

Ligjërata “Sistemi arsimor i Zvicrës” ashtu si dhe shumë ligjërata dhe organizime tjera të këtij lloji, kanë rëndësinë e tyre të pakontestueshme për informimin e publikut lidhur me problematika të caktuara. Por ajo që ndodh shpesh është që pjesëmarësit në këto aktivitete janë kryesisht ata që këto informata tashmë i kanë apo munden t`i sigurojnë. Këto aktivitete nuk vizitohen sa duhet, mjerisht, nga ata që kanë më shumë nevojë për informata e përmendura. E ata janë shumica.