Shkurt.ch

Miliarderi zviceran, 5 miliardë për qëllime humanitare

Miliarderi zviceran që prej vitesh jeton në SHBA Hansjörg Wyss ka premtuar që gjysmën e pasurisë së tij, rreth 5 miliardë dollarë ta dhurojë për qëllime humanitare. Wyss 79 vjeçar është themelues i kompanisë Synthes, të cilën ndërkohë e ka shitur.

Siç shkruan revista “Bilanz”, pasuria e tij vlerësohet në mes 11 dhe 12 miliardë franga. Me donacionin që është zotuar ta japë, ai i bashkohet fushatës “The Giving Pledge”, të iniciuar nga mltimiliarderët Bill Gates dhe Warren Buffett. Deri më tash ata kanë grumbulluar 127 miliardë dollarë për qëllime humanitare, të dhuruara nga miliarderët në përgjithësi.

Hansjörg Wyss në vitin 1977 ka themeluar kompaninë Synthes ndërsa në vitin 2011 ia ka shitur atë koncernit Johnson&Johnson për 21.3 miliardë dollarë.
Wyss është i njohur për gatishmërinë për të bërë donacione. Në vitin 2011 ai kishte dhuruar 10 milionë franga për hulumtime shkencore.