Shkurt.ch

Stagnon ekonomia e Zvicrës

Fjala është për tremujorin e dytë të vitit, krahasuar me të parin. Por nëse ky tremujor krahasohet me të dytin e vitit të kaluar, kemi një rritje prej 0.6 për qind.

Ekonomia e Zvicrës në tremujorin e dytë të këtij viti, në krahasim me tremujorin e parë ka stagnuar, gjegjësisht nuk është shënuar ngritje dhe as rënie e saj.

Siç bën të ditur Seco (Sekretariati Shtetëror për Ekonomi) brutoprodukti vendor gjatë kësaj periudhe praktikisht nuk ka pësuar kurrfarë ndryshimi. Por, nëse ky tremujor krahasohet me tremujorin e dytë të vitit të kaluar, atëherë konstatohet një rritje e vogël prej 0.6 për qind.

Seco më tutje thotë se bilanci tregtar i mallrave dhe i shërbimeve ka pasur një ndikim të lehtë negativ në rritje e brutoproduktit ndërkohë që konsumi privat ka ushtruar ndikim pozitiv por të kufizuar.

Falë rritjes së shitjes së bizhuterisë, për 0.7% eksporti i mallrave ka pasur një rritje por në të njëjtën kohë edhe importi i mallrave, kryesisht i atyre kimike dhe farmaceutike, është rritur për 0.7%.

Niveli i investimeve përgjithësisht ka mbetur i pandryshuar. Janë rritur shpenzimet për automjete dhe për elektronikë por në të njëjtë masë janë zvogëluar ato për investime në ndërtim.