E-Diaspora

Turnir i suksesshëm futbolli i FC BESA nga Biel/Bienne

Vendi i parë dhe kupa i takoi ekipit Relax nga Kantoni i Friburgut. Mori pjesë edhe ekipi "Diplomatët" i përbërë nga stafi i Ambasadës së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës

Në praninë e mbi 500 shikuesve, të dielën në Lyss/BE është mbajtur turniri tradicional, i organizuar nga FC BESA Biel/Bienne

30 ekipe nga mbarë Zvicra dhe 2 ekipe nga Franca morën pjesë në turnirin tradicional në Lyss të kantonit të Bernës. Në mesin e ekipeve pjesëmarrëse ishte edhe ai i „Diplomatëve“ nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë dhe ajo e Kosovës.

“Diplomatët” udhëhiqeshin nga kapiteni, Kastriot Noli (Sekretar i parë në Ambasadën e RSH- së). Në përbërje të këtij ekipi, veç z. Noli ishin edhe zv. Konsulli i Kosovës në Bernë, Besnik Miftari, sekretari i parë i Ambasadës, Rexhep Bajraktari si dhe disa bashkëpunëtorë të dy ambasadave.

Skënder Thaqi zëvendëspresident i FC Besa të Bielit, në cilësinë e organizatorit, falënderoi pjesëmarësit, shikuesit dhe në veçanti diplomatët, të cilët shkëlqyen në 3 lojët e tyre. Megjithatë, në një konkurrencë shumë të fortë ata nuk arritën të kualifikohen për në të tetën e finales.

Ndërsa Kastriot Noli në emër të Ambasadës së RSH- së dhe asaj të RKS- së, falënderoi FC BESA si organizatore, pastaj pjesëmarrësit dhe sigurisht edhe shikuesit, të cilët ia dhanë madhështinë këtij turiniri të shkëlqyer.

Noli me këtë rast shprehu vullnetin dhe gatishmërinë për bashkëpunim dhe mbrojtje të interesit të gjithë komunitetit shqiptar në tërë Zvicrën. Ai uroi për festat e fund vitit, me dëshirën që komuniteti të jetë edhe më i avansuar në të gjitha fushat

Lojërat janë mbajtur me sistemin nga 9 minuta para kualifikimeve ndërsa pas kualifikimeve me nga 10 minuta, me mundësi vazhdimi, gjegjësisht me penalti.

Pas një loje shumë interesante dhe dinamike, në finale ndërmjet ekipit „RELAX“ nga Kt. Freiburg dhe ekipit „Matoshi“ nga Kerces/BE, që u mbyll me rezultat 3:1 në favor të ekipit „RELAX“, ky ekip fitoi titullin e turnirit.

Vendin e parë me çmimin prej 1000 frangash e zuri ekipi “Relax” nga Friburgu, të dytin, ose 500 franga “Matoshi” nga Berna dhe vendin e tretë krahas çmimit prej 200 frangash e fitoi “Kein Zeit” nga Aarau. Të tri ekipet fituese morën ehde nga një kupë.

Portieri e i mirë u zgjodh Labinot Ratkoceri ndërsa lojtari më i mirë, Fabian Markaj

FC BESA falënderoi dhe shpërbleu edhe dy gjyqtarët: Mersim Sejdula dhe Jakup Berdynaj, pa gjykimin profesional të të cilëve do të ishte e pamundshme të mbahej ky turnir, i cili zgjati plot 12 orë.