Bota

Ushtarët belgë patrullojnë në Bruksel

Nëpër rrugët e Brukselit janë parë duke patrulluar edhe ushtarët belgë në përpjekje për të shtuar sigurinë rreth qendrave të hebrenjve dhe pikave të tjera të rëndësishme që mund të jenë objektiva të terroristëve.

150 ushtarë janë dislokuar sot dhe numri i tyre pritet të rritet në rreth 300. Sot ushtarët janë dislokuar në Antverp dhe në Bruksel, citojnë mediat belge ministrin e Mbrojtjes, Steven Vandeput.

Rritja e masave të sigurisë në Bruksel dhe Antverp pason operacionet policore të së enjtes, në të cilat u vranë dy të dyshuar për planifikimin e sulmeve të menjëhershme terroriste që, sipas zyrtarëve belgë, kishin si objektiv policinë.

Parandalimi i sulmit terrorist ka rritur frikën në Evropë nga xhihadistët që janë duke u përgatitur për kryerjen e më shumë sulmeve si në Paris, në të cilin u vranë 17 njerëz më herët këtë muaj.