Integrimi

Veliaj para mërgimtarëve: Modeli i Tiranës, dëshmi se “Shqipëria do të bëhet”

Ai me shembullin e Tiranës ka thënë se duhet thyer ajo klisheja se “Shqipëria nuk bëhet”. Ajo gjithsesi bëhet me punën tonë të përbashkët dhe me përpjekjet për të mirën e gjithëmbarshme, ka thënë kryebashkiaku i qytetit në të cilin jetojnë rreth një e treta e qytetarëve të Shqipërisë

“Nëse shekujt e kaluar kanë qenë shekuj të shteteve, ky i tashmi me siguri është shekull i qyteteve”. Këtë përkufizim e ka dhënë njeriu që e di çfarë thotë, pasi që ndodhet në krye të një qyteti të madh që po rritet me të madhe: Erjon Veliaj, kryebashkiaku i Tiranës.

Në një bashkëbisedim me me bashkatdhetarë dhe zviceranë, të mbajtur në sallën e Komunës së Lozanës, ai ka folur për karakterin e vizitës së tij në Lozanë, që ka qenë iniciativë e platformës albinfo.ch. dhe për shumë aspekte të punës së tij në krye të qytetit të Tiranës.

Homologu dhe mikpritësi i tij, kryebashkiaku i Lozanës, Grégoire Junod ka folur me respekt për mysafirin e tij të lartë, duke e cilësuar si model të qeverisjes së një qyteti të madh që është në ekspanzion. Ai ka falënderuar edhe platformën albinfo.ch dhe drejtorin e saj dr. Bashkim Isenin për realizimin e këtij bashkëbisedimi dhe për rolin e saj jo vetëm në integrimin dhe informimin e komunitetit shqiptar të Zvicrës por edhe në vendosjen e urave në mes të Zvicrës dhe shteteve ku jetojnë shqiptarët.

Junod ka përmendur faktin se komuniteti shqiptar në Lozanë është ndër më të mëdhenjtë dhe tashmë ka dhënë dëshmi të shumta për integrim të suksesshëm të tij në këtë qytet dhe në Zvicër, në përgjithësi.

Me një fjalë përshëndetjeje, publikut i është drejtuar edhe kryetari i platformës albinfo.ch, politikani i shquar zviceran, Andreas Gross. Edhe ai, si njohës i thellë i realitetit në Ballkan dhe si mik i shqiptarëve, në fjalën e tij ka vënë theksin në rolin model që ka Erjon Veliaj si kryebashkiak në rajon e më gjerë. Prandaj një model i tillë ia vlen të afirmohet dhe të ndiqet.

Në vazhdim, mysafiri nga Tirana u është përgjigjur pyetjeve të të pranishmëve lidhur me punën e tij në krye të administratës së Tiranës. Gjithë rrëfimin e tij (të suksesshëm) për Tiranën, kryebashkiaku i metropolit shqiptar e ka rrëfyer me lehtësinë që e karakterizon atë por duke shterruar çdo herë materien për të cilën fliste me kompetencë të plotë. Për secilën temë që prekte, ai jepte edhe orientimin në internet ku mund të gjenden informacione më të thelluara për materien përkatëse.

Ai ka theksuar disa herë se përkatësia e tij një partie (PS) nuk duhet të merret me aq shtrëngesë, pasi që puna të cilën ai e kryen, është në shërbim të të gjithë qytetarëve, pavarësisht preferencave të tyre partiake. Veliaj ka theksuar se është një kryebashkiak pragmatik, i cili mbi të gjitha përpiqet të lehtësojë punën e qytetarëve dhe jo vetëm të atyre që i kanë dhënë votën.

“Ne, gjatë kryerjes së punës sonë duhet të brengosemi se si do të duket qyteti pas 50 vitesh dhe jo për votat që mund t`i fitojmë ose humbim në zgjedhjet e radhës”, ka thënë mes tjerash ai duke vënë theksin në punët që një kryebashkiak duhet t`i kryejë, edhe kur ato nuk janë shumë “popullore”. Ai me shembullin e Tiranës ka thënë se duhet thyer ajo klisheja se “Shqipëria nuk bëhet”. Ajo gjithsesi bëhet me punën tonë të përbashkët dhe me përpjekjet për të mirën e gjithëmbarshme, ka thënë kryebashkiaku i qytetit në të cilin jetojnë rreth një e treta e qytetarëve të Shqipërisë.

Veliaj, duke folur për karakterin e vizitës në Lozanë, ka thënë se këtu ka zhvilluar dhe do të zhvillojë një sërë takimesh ndërsa në fokus të tyre është bashkëpunimi në fushë të infrastrukturës sportive. Duke ditur se Lozana është seli e shumë organizatave sportive botërore, përfshirë këtu edhe atë të Lojërave Olimpike, ajo ka shumë çfarë t`i japë Tiranës nga eksperienca e saj. Por nuk janë vetëm sportet kulminante ato për të cilat Lozana ka çfarë të ofrojë, ka thënë mysafiri nga Tirana. Ajo që i intereson më shumë atij si kryebashkiak i kryeqytetit shqiptar, është zhvillimi i një kulture sportive masive në mesin e të rinjve të Tiranës dhe të Shqipërisë në përgjithësi. Kjo për faktin se kjo kulturë është shumë e dobishme për zhvillimin e personalitetit të të riut ndërkohë që gjendja e saj në Shqipëri lë shumë për të dëshiruar.

Më tutje Veliaj ka shtjelluar qëndrimin e tij sipas të cilit, për të bashkëpunuar dhe për të pasur përfitime të dyanshme nuk nevojitet partneriteti formal në mes të qyteteve përkatëse. Sepse sipas tij, mund të shpallësh vëllazërimin me një qytet dhe që ky pastaj të flejë në letër “për 100 vitet e ardhshme”, pa u kryer asnjë punë konkrete. Ne përpiqemi që në mënyrë pragmatike të përfitojmë nga përvojat dhe kompetencat më të dalluara që kanë qytete të mëdha në botë, prej të cilave marrim atë që ne e shohim të dobishme dhe modelet të cilat ato qytete i kanë zhvilluar më së miri. Në këtë kuptim, kryebashkiaku ka folur për modelet në sferat përkatëse që Tirana i merr nga qytete si Firenca, Budapesti, Ankaraja etj. pa pasur nevojë për të shpallur partneritetin formal me to.

Veliaj, duke iu përgjigjur interesimeve të publikut të shumtë në numër, ka folur për aspekte nga më të ndryshmet të jetës në Tiranë, duke filluar nga hapësirat e gjelbra e deri te kastrimi i qenve endacakë, te ushqimi i fëmijëve në çerdhe e shtëpitë e pleqve. Për punët që ka bërë ai në këo dy vite e gjysmë në krye të metropolit shqiptar, ai ka hasur edhe në rezistenca. “çdo ndryshim i madh shoqërohet fillimisht me histeri por pastaj jeta të jep të drejtë dhe të gjithë i shijojnë të mirat e ndryshimit”, ka theksuar veç tjerash kryebashkiaku i Tiranës, duke iu referuar projekteve të shumta të tij për të cilat shpeshherë është ngritur pluhur në media dhe në publik por të cilat pastaj praktika i ka dëshmuar si të qëlluara.

 

Në këtë aktivitet kanë marrë pjesë edhe ambasadori i Shqipërisë në Zvicër, Ilir Gjoni, Konsulli i përgjithshëm i Kosovës në Gjenevë, Ramadan Avdiu dhe përfaqësues të shumtë të shoqatave dhe subjekteve tjera të komunitetit shqiptar të Zvicrës.

Platforma turistike Balkan.ch

Në kuadër të këtij takimi është bërë edhe prezantimi i platformës turistike “Ballkan.ch”, e cila promovon turizmin nga Zvicra drejt Shqipërisë dhe vendeve prej nga vijnë shqiptarët. Aina Hoti ka folur rreth synimeve që ka kjo platformë dhe ka prezantuar broshurat përmes të cilave promovohen vlerat turistike që ofrojnë Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Ajo ka treguar edhe hollësi rreth organizimeve të ndryshme turistike që ofron Balkan.ch.