Jeta në Zvicër

Vërshim paketash nga Kina, alarmohen tregtarët zviceranë

Në vitin 2015 kishte rreth 6 milionë dërgesa nga rajoni i Azisë, dhe vitin e kaluar 9 milionë sosh. Ekspertët zviceranë presin 12 milionë dërgesa këtë vit.

Sipas “0vor10” në SRF kjo korrespondon me një dyfishim për vetëm dy vjet. “Supozojmë se zhvillimi do të vazhdojë në këtë kuadër”, thotë Stefan Luginbühl nga Posta e Zvicrës.

Në njërën prej qendrave postare në Cyrih-Mülligen, një e treta e paketave të vogla të mallrave të importit deri në 2 kilogramë vijnë nga rajoni i Azisë, kryesisht nga Kina. Për momentin, Posta zvicerane përpunon çdo ditë rreth 32.000 dërgesa nga Azia, shkruan albinfo.ch.

Ky invazion kinez krijon disavantazh konkurrues përballë tregtarëve zviceranë.

Përveç kësaj, tregtarët kinezë vazhdimisht i përdorin kufizimet duke u ikur detyrimeve doganore dhe TVSH-së: deri në një vlerë prej 62 frangash, ata nuk duhet të paguajnë TVSH ose tarifa doganore.

“Dërgesat nga rajoni i Azisë kanë rreth 95 për qind informacion të pasaktë për zhdoganimin”, shpjegon Stefan Luginbühl nga Posta e Zvicrës.