Sporti

„Yallocup“ mbetët në St. Gallen, Fc Besa lë 64 ekipe mbrapa

Në turnirin dyditor të mbajtur në palestrën sportive „Kreuzbleiche“ në St. Gallen, ekipi shqiptar Fc Besa fitoi vendin e parë pas një finaleje dramatike, ku në fund fati i më të mirit u përcaktua nëpërmjet penalltive.

Finalja e njërit prej turnireve më të mëdha të Zvicrës që sivjet po mbahet për herë të katërt nën ombrellen e ekipit shqiptar të St. Gallenit – Fc Dardania, u mbyll në kohën e rregullt me barazim 3-3.

„Besa“ e St. Gallenit e fitoi finalen ndaj ekipit të Aarues, „Kei Zit“, në gjuajtjen e penalltive me rezultat 6-5.

Të dy ekipet finaliste në futbollin futsal kishin lënë mbrapa më shumë se 64 ekipe të forta pjesëmarrëse, të ardhura për pjesëmarrje edhe nga Hamburgu i largët.

Ky event sportiv ka zgjuar interesimin e shumë talenteve të rinj të futbollit në sallë për shkak të organizimit të mirë, bashkimit të futbollistëve të rinj shqiptarë nga vendet fqinje dhe atmosferës së krijuar, thotë organizatori i këtij eventi, Arsim Dautaj.
Organizatorët e këtij eventi sportiv në këto ditë acari kanë kthyer mbrapa më shumë se 20 ekipe futbollistike, për shkak të pamundësisë që brenda dy ditëve të luhen të gjitha ndeshjet.

„Kemi pasur 84 ekipe nga Zvicra, Gjermania e Austria që kanë shfaqur dëshirën për pjesëmarrje, por për shkak të kohës së limituar ne kemi mbajtur turnirin me vetëm 64 ekipe“, thekson Dautaj.

Albinfo.ch ka zhvilluar një bisedë me disa nga lojtarët e skuadrave të ardhura nga vendet fqinje për ta marrë kupën e kompanisë telefonike të njohur si „Yallocup“.

Dardania Mannheim, fairpaly dhe miqësi të reja, është motoja e pjesëmarrjes

Futbollistët e shoqatës humanitare Dardania Mannheim kanë ardhur në këtë event për shkak të emrit të njëjtë që mban organizatori dhe prezencën e shumë ekipeve të tjera me emrin Dardania, thotë përfaqësuesi i dardanëve të Mannheimit në Gjermani, Adem Buzuku. „Kemi hasur në një mikpritje të jashtëzakonshme dhe në për çdo vit do të jemi këtu për të luajtur. Ne mundohemi t’i kontribuojmë futbollit modern me paraqitje fairplay“.

Joga Bonito vjen nga Hannoveri i largët dhe merr tri çmime

Lojtari më i mirë vjen nga Hannoveri, libanezi Omar Elsein, bashkë me ekipin më fairplay, “Joga Bonito”.
“Joga Bonito” kishte ardhur nga qyteti Hannover i Gjermanisë me dy lojtarë cilësorë të ligës së katërt gjermane dhe shokë të tjerë nga liga e pestë për ta fituar këtë event të madh të fubollit, thotë Linor Demaj.

„Ne nuk kemi ardhur nga Hannoveri për vendin e dytë a të tretë“, thotë Linori, duke pritur të luajë gjysmëfinalën ndaj ekipit “Kei Zit”.
Me gjithë paraqitjet shumë të mira, me lojë fer e të disiplinuar, “Joga Bonita” nuk arriti të kualifikohej në finale, pasi humbi ndaj ekipit “Kei Zit” në gjysmëfinale. Vendin e tretë ata e fituan nga fituesit e turnirit të vitit të kaluar, Fc Moreno.

„Nuk kemi fjetur fare në natën mes të shtunës dhe të dielës, jemi nisur në ora një të mëngjesit nga Hannoveri për të marrë vendin e parë, por nuk ia dolën. Megjithatë, u kënaqëm me atmosferën këtu me muzikë shqipe dhe mikpritjen fenomenale“, thotë lojtari i Joga Bonitës, Linor Demaj.

FC Kosova ka bërë mbi 400 kilometra rrugë nga qyteti Vörgl i Austrisë, për të marrë pjesë në turnirin më të madh të futbollit shqiptar në diasporë

Shkëlzen Beqiri, lojtari i Fc Kosova, shprehet mirënjohës për një organizim, siç thotë ai, shumë, shumë të mirë. „Jemi për dy ditë këtu dhe mund të them se mikpritja është shumë e mirë, ku kemi pasur rastin të njohim e të lidhim miqësi të reja me shqiptarë të Zvicrës“.
Çmimin e portierit më të mirë organizatorët ia kanë ndarë portierit të ekipit “Kei Zit”, Dardan Neziri.
Vendi i parë ka fituar 1 mijë frang dhe për secilin lojtar nga një paket televizive Nimi TV. Vendi i dytë është shpërblyer me 500 frang dhe 300 për fituesin e vendit të tretë.

Dy referët shqiptarë në fund kanë marrë duartrokitjet më të mëdha nga shikuesit për rigorizitetin e treguar në ndarjen e drejtësisë.

KUJDES ! TEKSTI YNË I KOPJUAR DO TË DENONCOHET DHE RAPORTOHET. PËRPOS NËSE...

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e albinfo.ch dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://www.albinfo.ch/yallocup-mbetet-ne-st-gallen-fc-besa-le-64-ekipe-mbrapa/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin. Redaksia e albinfo.ch.