Bota

Zbulohet plani i terroristëve për të shpërthyer aeroplanin

Ministri i Brendshëm i Libanit, Nouhad Machnouk thotë se një grup terroristësh kishte planifikuar të shpërthente një aeroplan nga Australia me bomba të fshehura në një kukull Barbie dhe një makinë për bluarjen e mishit.

Ai ka deklaruar se Amer Khayyat, një nga katër vëllezërit e dyshuar, kishte planifikuar të shpërthente një pajisje eksplozivi 20 minuta pas nisjes së fluturimit drejt Abu-Dhabit me 400 pasagjerë.

Plani dështoi pasi që valixhja nuk lejohej të futej brenda për shkak të mbipeshës.

Amer është ndalur në Liban, ndërsa Khaled dhe Mahmoud ishin arrestuar në Australi. Vëllai i katërt, Tarek, dyshohet se është anëtar i ISIS-it dhe jeton në Siri. Amer, i cili ka bërë disa udhëtime nga Australia dhe Libani së fundmi nën pretekstin se do të martohet, ishte arrestuar në Liban pas arritjes nga Australia në mes të korrikut.

Machnouk ka thënë se valixhja nuk u lejua në aeroplan sepse peshonte 7 kilogramë më shumë se që lejohej nga kompania.

“Operacioni dështoi për shkak të peshës ekstra. Inteligjenca ndoqi rastin dhe gjeti se Amer ishte përfshirë në këtë akt dhe duket se ai ishte i caktuari për të bartur bombën”, ka thënë Machnouk.

Më herët gjatë muajit, Australia kishte njoftuar se një grup i burrave kishte planifikuar sulm terrorist në fluturimin e Etihad Airways nga Sidnei më 15 korrik. Ai ishte vlerësuar “si planifikimet më të sofistikuara ndonjëherë”.