Opinione

Zjarri dhe Facebook-u

7 tetor 2017, ora rreth 20, aeroplani aterroi në aeroportin e Prishtinës, i nisur nga Gjeneva. Duartrokitjet i dedikohen pilotit, e sidomos Kosovës. Kosova që nuk na pyet kurrë se çfarë bëjmë në mërgim, a punojmë për Kosovën apo jo, po ashtu, si bën për banorët e vet në Kosovë, pa kaluar disa minuta na futë në gjirin e vet, duke na dhënë përshtypjen sikur nuk kemi qenë kurrë larg saj…
Rruga nga aeroporti deri në shtëpi, në Prishtinë, kaloi shumë shpejt, sepse isha shumë i përqenduar në vrojtimin e dritave dhe ndërtimeve të reja gjithmonë jo larg rrugëve kryesore.
Futem në shtëpi dhe energjia e emocioneve që mbrrita në Kosovë shpejt më lëshoi, pasi mora vesh që në mëngjesin e kësaj dite kishte rënë borë dhe temperaturat kishin rënë shumë, ndikuan që të filloj të kem mornica nga të ftoftit dhe, kuptohet reagimi im i parë është të marr masa të ngrohem sa më shpejt. Po ja që rryma nuk është në anën time dhe nuk më mbeti tjetër pos të kërkoj dru që të ndez shporetin për ngrohje. Kërkoj dhe gjej disa cunga që kishin mbetur nga viti i kaluar në një cep mbrapa shtëpisë. Marr cungat dhe, pa humbur kohë, i fus në shporet dhe filloj peripecitë e mia të ndez zjarrin. Tentoj të ndez zjarrin, po pa sukses … Për shkak të mungesës të korentit elektrik nuk kam qasje as në internet që të mund të konsultoj Youtube a Facebok e të gjej ndonjë këshillë se si ndizet zjarri. Nuk mund të thërras as shokun tim, Mentor Ilazin, që gjendet gjithashtu për pushime në Kosovë. Mentori është inxhinier, e drejton një sektor të prodhimit të energjisë nga mbeturinat në kantonin e Valais-it. Mentori në biseda të ndryshme më tregonte se si në ndërmarrjen që drejton nga riciklimi i mbeturinave prodhon 5 lloje të ndryshme të energjive, po ja që sot, kur kam nevojë të thërras të më tregojë për zbulimin më të rëndësishëm të njeriut, zotërimin e zjarrit, nuk mund t’i telefonoj, sepse telefoni ka mbetur pa bateri…
Po shpresën nuk e humba dhe vazhdova të kërkoj forma për të ndezur zjarrin. Gëzohem që e gjej një qiri, të cilin e ndez shpejt dhe ashtu më kujtohet një shkrim që kam lexuar se qirinjtë, të pranishëm në restorante, shërbejnë që çiftet të kalojnë një mbrëmje romantike, sepse njeriu, duke qenë i lidhur me zjarrin ndikon që çiftet të ndiejnë vetën më mirë. Ashtu qesh me vetvete pse më erdhi kjo histori e restorantit dhe qirinjve, sepse realiteti im në këtë çast është pak më ndryshe…
Për të ndikuar që të ndez zjarrin, marr disa fletë të gazetave të vitit të kaluar dhe duke futur një gazetë të tërë në shporet, për të ndihmuar që zjarri të ndizet sa më shpejt, në driten e qiririt shoh titullin e një gazete që datonte nga 31 janari 2017, e që shkruante: «Ndotja e ajrit në Prishtinë sërish tejkalon vlerat kufitare ditore» dhe si shkaktar kryesor ishin dy faktorë: një që bënte shumë ftoftë dhe, e dyta, ndezja me sasi të madhe të thëngjillit.
Shpërndarja e ndotësve në ajrin e Prishtinës po ndikon në përhapjen e shumë sëmundjeve dhe ky realitet përsëritet çdo vit dhe do të përsëritet, sepse për momentin në Kosovë kemi klimë kontinentale dhe do të kemi dimra të ftoftë. Deklarimi se dimri na zuri të papërgatitur është ironi në vete dhe fyerje e madhe ndaj qytetarëve të Kosovës. Ironi e madhe, po fatkeqësisht realitet. Thëngjilli si pasuri e Kosovës, për të cilin shpesh kemi lexuar se do të jetë shtyllë e zhvillimit të Kosovës, ja që po vazhdon të marrë jetë qytetarësh…
Gjersa vendi ku jetoj, pra Zvicra, është në gjendje të prodhojë shumë lloje të energjive nga riciklimi i mbeturinave, Kosova jo që nuk ka qoftë një central të tillë të vogël, po nuk është në gjendje të zotërojë ashtu siç duhet tokën dhe pasurinë e vet që ka pasur të njëjtin fat sikur popullsia e Kosovës. Më kujtohet shkrimi i Jean Nowl Cuenod mbi burimet e minierave të Kosovës si çështje kapitale për Beogradin, i botuar më 1999. Shkrim që jep shumë detaje për pasuritë e Kosovës. Tregon pse serbët i kanë dhënë rëndësi që të lidhin energjinë materiale me energjinë shpirtërore. Autori tregon kartën ku janë minierat dhe burimet natyrore dhe për autorin nuk është e rastësishme që afër çdo burimi natyror gjenden kishat dhe manastiret për t’i dhënë forcë lidhjes mes energjisë materiale dhe shpritërore. Këtë shkrim vazhdoj ta shpërndaj…

Mendimet e mia ndalen pasi shoh se para meje zjarri ka marrë hov dhe tani filloi të shpërndajë dritë dhe nxehtësi. Rri pothuaj i vizatuar para shporetit dhe shoh që prapa meje vizatohet po ashtu silueta ime. Hija ime e madhe përshkruan ndjenjën time që arrita ta ndez zjarrin.
…Gëzimit tim i bashkohet edhe ardhja e rrymës elektrike që bën të ndërpres lojën me hijen time dhe, ashtu pa humbur kohë kyç telefonin tim të dorës në korent elektrik dhe pas disa minutash lëvizjeje në dhoma, marr prapë telefonin celular dhe fotografoj shporetin që shpërndan me të madhe dritë dhe nxehtësi, e këtë fotografi ua dërgoj kolegëve në Zvicër me whatsApp, si formë për të treguar që kam arritur në destinacion të pushimeve të mia. Pa humbur prapë kohë të njëjtën fotografi e postoj në Facebook dhe filloj të marr «like» …