Kosova

Shteti paguan miliona për qiranë e 17 institucioneve në objekte private

Në çdo vit shteti paguan vlerën prej 1 milion e 696 mijë euro

Në mungesë të hapësirave publike, institucionet e Kosovës punën e tyre e zhvillojnë në objekte private.

Sipas një raporti, 17 prej tyre paguajnë qira mujore për objektet që i shfrytëzojnë.

Sipas të dhënave që ka Ministria e Administratës Publike, kjo shumë çdo vit arrin vlerën prej 1 milion e 696 mijë euro.

Në këtë listë përfshihen 6 ministri e 11 institucione të tjera.

Nga ana tjetër, qiranë më të lartë vjetore e paguan Administrata Tatimore e Kosovës. Vlera e saj arrin në 384 mijë euro ose 32 mijë euro në muaj.

Pas saj radhitet Ministria e Financave, që paguan qira vjetore prej 347 mijë eurosh.

E pas saj, edhe Zyra Kombëtare e Auditimit, ku qiraja vjetore është 175 mijë euro.

Po ashtu, qira vjetore mbi 100 mijë euro paguajnë edhe Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës dhe Ministria e Integrimit Evropian, që së fundmi nga ndërtesa e qeverisë ka kaluar në objekt me qira.

Vlera e qirasë vjetore që paguajnë institucionet e tjera publike sillet prej 21 mijë euro më e ulëta, që paguan Instituti Pedagogjik i Kosovës dhe 75 mijë euro që paguan Komisioni i Pavarur i Mediave.

Vlerat milionëshe të pagesave për qira që bëhen çdo vit shihen si të panevojshme nga ana e D+.

Visar Rushiti thotë se buxhetin e ngarkojnë më së shumti agjencitë shtetërore, pasi që një numër i madh i tyre janë në objekte private.

Ai shpjegon se nga të dhënat që ata posedojnë, që nga viti 2013 deri në vitin 2016 janë shpenzuar mbi 7 milionë euro vetëm për qira të institucioneve.

Ndërkaq, buxhetit të shtetit pritet t’i shtohet edhe një shumë tjetër e lartë për objektet me qira.

Ministria e Bujqësisë dhe ajo e Kulturës do të largohen nga objekti ku kanë qenë me vitet të tëra për t’i lënë vendin Presidencës, shkruan “Zyrtare”.