Lajme

Policia konfirmon vdekjen e autorit të dyshuar të sulmit në Berlin

Policia e Berlinit ka konfirmuar vdekjen e 21-vjeçarit Abdul B., të dyshuar si autor i sulmit që ndodhi të shtunën mbrëma gjatë festimeve të Christopher Street Day (CSD) në kryeqytetin gjerman.

Sipas autoriteteve, i dyshuari u lokalizua të dielën në mbrëmje në një zonë me kopshte private në lagjen Spandau. Gjatë operacionit policor ndodhi një përballje me efektivët dhe Abdul B. u qëllua për vdekje. Mediat gjermane raportojnë se ai dyshohet se sulmoi policët me një armë të ftohtë, çka çoi në përdorimin e armëve të zjarrit nga ana e policisë.

Abdul B. kërkohej në lidhje me sulmin e së shtunës, kur një automjet u fut në turmën e pjesëmarrësve në Christopher Street Day. Si pasojë e sulmit humbi jetën një grua, ndërsa 29 persona të tjerë mbetën të plagosur.

Ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Alexander Dobrindt, e ka cilësuar ngjarjen si një sulm terrorist me motiv islamist, ndërsa Prokuroria Federale ka marrë përsipër hetimin e rastit.

Policia ka bërë të ditur se hetimet vazhdojnë dhe nuk përjashtohet mundësia e përfshirjes së personave të tjerë në sulm/albinfo.ch/