Lajme

24-vjeçari shqiptar tentoi të hapë derën e avionit gjatë një fluturimi për në Amerikë

Ai shkaktoi panik në avionin e “Delta Airlines”

Raportohet se një shtetas shqiptar 24-vjeçar, Mario Nikprelaj, është dënuar me 18 muaj burgim nga autoritetet amerikane, pasi u deklarua fajtor për një incident të rëndë që ndodhi në një fluturim të Delta Airlines, njoftoi Zyra e Prokurorit të Distriktit të Iowa-s, transmeton albinfo.ch.

Vendimi vjen vetëm shtatë muaj pas ngjarjes, gjatë së cilës Nikprelaj tentoi të hapte me forcë derën e avionit gjatë fluturimit, duke rrezikuar seriozisht sigurinë e pasagjerëve dhe ekuipazhit. Tragjedia u shmang vetëm falë ndërhyrjes së shpejtë të stafit të fluturimit dhe disa pasagjerëve.

Incidenti ndodhi në një fluturim të operuar nga SkyWest Airlines për Delta, i cili ishte nisur nga Nebraska drejt Detroitit në korrik të vitit të kaluar. Sipas prokurorëve, i riu, i lindur në Michigan, filloi të shfaqte sjellje problematike që në fazat e hershme të fluturimit.

Ai bëri deklarata shqetësuese dhe të papërshtatshme ndaj pasagjerëve dhe anëtarëve të ekuipazhit, refuzoi të vendoste rripin e sigurimit dhe e hiqte atë vazhdimisht, pavarësisht kërkesave të përsëritura nga stjuardesat. Gjatë ngritjes së avionit, ai u ngrit disa herë nga vendi i tij, duke shkelur rregullat bazë të sigurisë.

Situata u përshkallëzua kur 24-vjeçari ofendoi një asistente fluturimi, e shtyu atë fizikisht dhe më pas e kërcënoi me vdekje, pasi iu tha se sjellja e tij do të raportohej tek autoritetet.

Pas një periudhe qetësie të shkurtër, pasagjerët shtypën butonat e emergjencës, pasi panë Nikprelajn duke ndërhyrë në derën e daljes së emergjencës. Si pasojë, ekuipazhi ndërhyri sërish, ndërsa pasagjeri reagoi me ofendime dhe kërcënime verbale.

Avioni u detyrua të kryente një ulje emergjente në Iowa. Sipas prokurorëve, gjatë uljes, 24-vjeçari u ngrit sërish, hoqi këmishën dhe filloi të ecte në mënyrë agresive nëpër korridorin e avionit. Anëtarët e ekuipazhit u detyruan të kërkonin ndihmën e pasagjerëve për ta neutralizuar, pasi ai sulmoi tre persona dhe tentoi t’i godiste.

Pas uljes, Nikprelaj u arrestua dhe gjatë kontrollit autoritetet i gjetën një shishe me 41 pilula, të dyshuara si qetësues. Ai u akuzua për sjellje të çrregullt, sulm, posedim të barnave me recetë, shkelje të pullave tatimore dhe ngacmim.

Dosja kriminale e të riut përfshin edhe dënime të mëparshme për sulm ndaj një oficeri policie, dhunë në familje si dhe vepra penale të lidhura me drogën, thanë autoritetet amerikane./Albinfo.ch