Portrete të firmave

3eni.com, aty ku Arben “Beni” Myftari bashkon artin, teknologjinë dhe shpirtin

Arben Myftari pas dekadash karrierë në agjenci të ndryshme ndërkombëtare ka krijuar studion e tij për dizajn grafik, në Vjenë, 3eni.com

Arben Myftari nuk e sheh dizajnin thjesht si kombinim formash dhe ngjyrash. Për të, dizajni është mbi të gjitha një mjet që ndërton besim – besimin që një produkt apo kompani arrin të krijojë përmes mënyrës se si paraqitet. Ai e sheh dizajnin si mënyrën për ta shprehur vizualisht identitetin e vërtetë të një kompanie, ashtu siç ajo dëshiron të perceptohet. Në studion e tij 3eni.com, Arbeni realizon pikërisht këtë shërbim: një dizajn të qartë, që kuptohet dhe vlerësohet shpejt.

 

 

Një përzgjedhje punimesh të realizuara ndër vite nga 3eni.com.

 

I udhëhequr nga një pasion për dizajnin qëkur ishte fëmijë, Arben Myftari pas dekadash karrierë në agjenci të ndryshme ndërkombëtare krijoi studion e tij për dizajn grafik, në Vjenë. 3eni.com është thjesht një përmbushje e ëndrrës së tij që nisi qysh në moshën 10 vjeçare, kur prindërit i blenë kompjutërin e parë Commodore 64. Më vonë, si 13-vjeçar ai posedonte një PC 286, nga i cili nisi të eksploronte mundësitë që jepnin programet si CorelDRAW – program për dizajn grafik – dhe me AutoCAD – për arkitekturë. Arbeni kujton me nostalgji pikërisht këtë kohë kur ky si fëmijë i mësonte përdorimin e kompjuterit për arkitekturë, një miku të familjes, profesor i arkitekturës, Agush Beqirit.

„Ai ishte rreth 60 vjeç, unë vetëm 13, por të dy kishim dëshirë të mësonim nga njëri-tjetri. Ai mbetet për mua një shembull frymëzimi – të mbetem gjithmonë kureshtar dhe me etje për dije. Në ato katër vite mësova shumë, profesionalisht dhe në aspektin njerëzor e krijues“, kujton Arbeni.

Fillimisht ai po planifikonte të shpërngulej nga Kosova në Nju Jork. Por, Amerika i dukej shumë larg familjes, andaj vendosi që më 1997 të shpërngulej në Vjenë për të studiuar për dizajnin grafik dhe multimedian. Sot, Arbeni jeton me gruan dhe dy fëmijët e tij në Seestadt, në Vjenë.

Nga posterat që preknin zemrat, te dizajnet që ndërtojnë identitetet e bizneseve

Arbeni kishte vite përvojë pune në botën e dizajnit grafik. E nisur në Kosovë, ku po punonte në faqosjen e gazetës „Koha Ditore“, ai ishte krijuesi i dy postereve që ngelen në memorie nga historia e kohës së luftës në Kosovë.

 

Reklamë e publikuar në gazetën Koha Ditore për të shënuar tirazhin ditor prej 30.000 në vitin 1997, si dhe një poster që paraqet të gjitha llojet e faqeve të gazetës Koha Ditore.

 

“´Ti na duhesh për UÇK-në´ dhe ´Do you need to see everything to help?´, janë dy punë të lindura në moment, të cilat u shpërndanë gjerësisht nëpërmjet e-mailit dhe u bënë pjesë e frymës së kohës.“

 

 

“Në vitet që pasuan udhëtova shpesh mes Vjenës dhe Prishtinës, duke punuar në projekte të ndryshme si logoja e mëparshme e IPKO-s, …

 

 

… dizajni i gazetës “Express”, …

 

“… si edhe në identitetin vizual e Shoqatës së Kontabilistëve të Çertifikuar dhe Auditorëve të Kosovës (ShKÇAK).”

 

 

“Kam krijuar gjithashtu disa fushata politike, përfshirë ato të Ramush Haradinajt dhe Behgjet Pacollit, në periudhën kur ai hyri për herë të parë në politikë“, kujton ai përvojën e tij në Kosovë. Pas disa vitesh përvojë pune në agjenci ndërkombëtare, Arbeni vendosi të hapte kompaninë e tij, ku siç thotë ai, synonte për të bashkuar përvojën profesionale të agjencive të mëdha me qasjen personale dhe të afërt ndaj klientëve. Kur flet për suksesin e tij më të madh, thotë se besimi që kanë klientët për të është vlerësimi më i lartë.

 

Disa postera për Jazz Festivalin në Prishtinë. Njëri prej tyre tërhoqi vëmendjen e gazetares Eliza Hoxha, e cila shkroi një koment të veçantë me titullin „Zemra rrah për ata që kanë vesh!“

 

Veçantia e 3eni.com, misioni dhe shërbimet

Studio e Arben Myftarit i ndihmon bizneset të duken ashtu siç duan të perceptohen.

„Shumë kompani kanë shërbime ose produkte të mira, por nuk arrijnë ta përcjellin vlerën e tyre vizualisht. Aty fillon puna ime – nga logoja, identiteti vizual dhe webfaqja, deri te komunikimi dhe materialet e shtypura – unë ndihmoj që mënyra si e sheh vetveten një kompani të përputhet me mënyrën se si e shohin të tjerët. Në thelb, nuk është fjala vetëm për ngjyra apo forma, por për besimin që një dizajn i mirë arrin të krijojë. Një markë e paraqitur qartë kuptohet më shpejt, vlerësohet më shumë dhe zgjidhet më shpesh“, tregon dizajneri Myftari.

Pjesë nga “Corporate Design Manual”, i cili është ridizajnuar për start:bausparkasse.

 

 

Projektet që i merr studio 3eni.com, zakonisht vijnë nga rekomandimet që klientët u japin të tjerëve. Sipas Arbenit, kjo tregon se sa besim kanë klientët e tij tek puna e tij.

„Për një kohë të gjatë madje nuk kisha as webfaqe të studios – siç thuhet me shaka: “Këpuctari këpucët e veta i rregullon të fundit.” Tani, më në fund, kam krijuar faqen time me projektet e realizuara, dhe çdo javë shtoj punë të reja, por edhe projekte më të vjetra që kanë qenë pjesë e rrugëtimit tim profesional. Klientela ime është kryesisht austriake, por bashkëpunoj rregullisht edhe me kompani shqiptare të suksesshme, si dhe me klientë ndërkombëtarë që kërkojnë cilësi, qartësi dhe një qasje strategjike në dizajn“.

 

Për të parë projektet e Arben Myftarit, klikoni këtu: www.3eni.com

 

Çka e dallon tregun e dizajnit austriak nga ai shqiptar?

Kur flet për klientelën austriake dhe shqiptare, Beni siç e njohin të gjithë, tregon dallimet që kanë në zhvillimin e projekteve këto dyja.

„Më herët, në Kosovë e Shqipëri, kush kishte një kompjuter dhe programe si CorelDRAW apo Photoshop, mendonte se mund të bënte dizajn. Në Austri, dizajni shihet ndryshe – si një shërbim profesional dhe strategjik, i lidhur ngushtë me komunikimin e markës dhe identitetin e kompanisë. Këtu çdo projekt fillon me analizë, objektiva të qarta dhe strategji vizuale, jo thjesht me estetikë. Fatmirësisht, edhe tregu ynë po zhvillohet me hapa të shpejtë në këtë drejtim – vlera e dizajnit profesional dhe e mendimit krijues po vlerësohet gjithnjë e më shumë“, sqaron ai.

Si fillon një projekt i mirë, sipas Benit?

Kur tregon për veten e tij, Arbeni shpesh rikthehet në fëmijëri. Një nga pasionet e tij të kahershme janë artet marciale. Ai kishte ushtruar tashmë karate në Pejë, ndërsa kishte vazhduar me Kung-Fu pasi ishte shpërngulur në Vjenë. Me kalimin e viteve filloi një përvojë interesante me joga-n, ku do të kombinoheshin ushtrimet fizike, frymëmarrja, biseda interaktive dhe meditimi.

“Aty kuptova se disiplina, përqendrimi dhe balanca që kërkon dizajni janë të njëjtat që kërkon edhe jeta shpirtërore. Ndoshta edhe për këtë arsye më pëlqen të mendoj se çdo projekt i mirë fillon me frymëmarrje të thellë – me durim, me vëmendje dhe me një zemër të qetë”.

Dy projektet më sfiduese të Arben Myftarit deri më tani

Arbeni thote se për të çdo projekt është si një histori e re për t’u treguar. Por, ai ka vendosur t´i ndajë dy me lexuesit e Albinfo.at.

„E para lidhet me Hagelversicherung, një kompani sigurimi austriake që mbron fermerët, blegtorët, vreshtarët dhe prodhuesit lokalë nga rreziqet e motit dhe dëmet natyrore. Isha në Prishtinë kur mora e-mailin me ftesë për të marrë pjesë në garë me disa agjenci të tjera marketingu, bashkë me materialet për fushatën. Në shënime shkruhej: “Nëse blini 10% më shumë produkte rajonale dhe bujqësore, krijoni 17.000 vende pune dhe mbroni klimën. ”Teksa fillova punën, u ndërpre rryma – dhe idenë e zhvillova nën dritën e qiriut. Mendova: “Si do ta interpretonte këtë një fëmijë?”. Kështu lindi koncepti ku një vajzë e vogël i thotë babait: “Kam një punë për ty”, duke mbajtur në duar produkte rajonale. Kur u ktheva në Vjenë për prezantim, mendova se do të flisja vetëm me drejtorin e marketingut – por në sallë ishte i gjithë bordi i kompanisë. Me pak emocion prezantova idenë, dhe në mes të fjalës, drejtori i kompanisë më ndërpreu duke thënë: “Ide fantastike!”. Fushata më pas u publikua për një vit në revista dhe gazeta të ndryshme austriake.

 

Ideja me të cilën 3eni.com u zgjodh fitues përballë disa agjencive në Vjenë.
Pamje nga një fushatë me testimonialë, si Mario Plachutta dhe Mag. Isabella Krassnitzer.

 

Projekti i dytë është WienerSozialdienste.at – ofruesi kryesor i shërbimeve sociale në Vjenë, me mbi 1.800 punonjës nga 70 kombe, i themeluar në vitin 1946. Projekti nisi më 2019 dhe përfshinte ridizajnimin e plotë të faqes së internetit, ku sfida kryesore ishte paraqitja e 19 shërbimeve të ndryshme në mënyrë intuitive për përdoruesin. Bashkëpunimi me ta vazhdon ende sot dhe është kthyer në një marrëdhënie të qëndrueshme besimi dhe bashkëpunimi afatgjatë“.

 

Pamje e faqes kryesore të webfaqes WienerSozialdienste.at, e cila është ridizajnuar nga 3eni.com.

 

Rëndësia e Rrjetit të Bizneseve Shqiptare për komunitetin shqiptar në tregun austriak

Sipas Arben Myftarit, bashkëpunëtor i Rrjetit Global të Bizneseve Shqiptare që ka degë edhe në Austri, ka rëndësi të madhe krijimi i urave bashkëpunuese dhe krijimi i besimit mes sipërmarrësve shqiptarë.

“Shumë prej bizneseve tona janë të suksesshme, por shpesh u mungon lidhja dhe prezantimi në një nivel më të gjerë. Përmes rrjetit, ndihmojmë që këto biznese të njihen, të afirmohen dhe të pozicionohen më mirë në tregun austriak, duke ndarë përvoja, kontakte dhe mundësi konkrete bashkëpunimi. Këtë e bëjmë edhe përmes Panairit të Bizneseve Shqiptare në Vjenë, të cilin e organizuam për herë të pestë në prill 2025”, thotë ai.

Myftari thotë se Rrjeti e forcon komunitetin duke dëshmuar se bashkë mund të jenë më të dukshëm, më profesional dhe më të respektuar në tregun austriak.

 

Pamje nga katalogu i titulluar “Rrjeti”, i realizuar nga 3eni.com, ku 73 kompani janë të prezantuara me nga një faqe reklamuese dhe i cili botohet dhe shpërndahet gjatë panairit.

 

Synimi për të ardhmen për studion 3eni.com është që të ndërtohen bashkëpunime afatgjata me biznese që mendojnë me vizion, ku dizajni shihet jo si shpenzim, por si investim në besim dhe vlerë. Arbeni thotë se studion do ta pozicionojë si pikë referimi për dizajn cilësor dhe strategjik, që lidhet me emocione dhe rezultate.

 Mesazh për të rinjtë:

Mbani gjithmonë një bllok skicimi dhe një laps me vete – ka diçka magjike në mënyrën analoge, në kontaktin e drejtpërdrejtë me lapsin dhe letrën. Të skicojnë ide sa herë që kanë mundësi, të analizojnë reklamat e mira, të lexojnë dhe të shkruajnë (madje edhe ditar) – sepse kreativiteti ushqehet nga vëzhgimi dhe reflektimi i përditshëm.

 

Albinfo.at