Kosova

Turneu në futboll të vogël, “Rogana 2021”, u zhvillua në shenjë të mërgatës

Në finale kanë arritur ekipi me emrin e heroit nga Medvegja, “Florim Rushiti” dhe ai i “Shoqatës Rainca” nga Presheva. Ekipi “Flurim Rushiti” fitoi kupën e turneut “Rogana 2021”.

Në muajin qershor, një grup të rinjsh ishin drejtuar te kryetari i komunës, z. Qendron Kastrati me kërkesën për t’i ndihmuar në realizimin e një ngjarjeje sportive që për vite të tërë, për tri javë rresht, tubonte të rinj e të reja në oborrin e shkollës së mesme të ulët “Metush Krasniqi” në Roganë. Fjala ishte për turneun futbollistik “Rogana”, i cili ishte ndërprerë me përfundimin e turneut të vitit 2016, mbase, si pasojë e lodhjes së organizimit me forca vetjake të disa aktivistëve dashamirës të sportit e të jetës kulturore në Roganë.

Një premtim fushatash politike nuk vinte në shprehje. Kryetari Kastrati tashmë ishte i njoftuar me të arriturat dhe traditën sportive të roganasve, por që premtimi kishte edhe koston e vet. Për ta ndihmuar këtë ngjarje sportive duhej siguruar një financim prej disa mijëra eurosh, së pari për ta asfaltuar fushën e shkollës, pastaj për të blerë edhe disa qindra ulëse, si dhe për ta blerë ndriçimin. Drejtori për Kulturë, Rini e Sport, z. Arianit Ibrahimi ishte po ashtu i mirinformuar për shpirtin sportiv të roganasve dhe fshatrave përreth, ndërkaq zyrtari për sport, z. Shehat Rrudhani vinte nga Rogana dhe ishte rritur në këtë frymë sportive. Nën patronazhin e kryetarit të komunës barra më e rëndë i kishte rënë zyrtarit për projekte pranë Zyrës së kryetarit, z. Leotrim Spahiu, i cili duhej të angazhohej që përgatitja e fushës të bëhej në afatin rekord.

Së këndejmi, përgjegjësinë e organizimit e kishte marrë Hetem Geci, punëtor teknik pranë shkollës së mesme “Sejdi Kryeziu” në Roganë, pas të cilit qëndronin edhe shumë aktivistë dhe dashamirës të sportit. Shumë roganas jepnin kontributin e tyre, secili në mënyrën dhe mundësinë e vet. Pas një lajmërimi në rrjetet sociale për paraqitje të ekipeve futbollistike ishin paraqitur 32 ekipe nga fshatra të ndryshme të komunave: Dardanë, Gjilan, Prishtinë, Viti, Preshevë, Medvegjë etj.

Një bashkëpunim i mirëfilltë i komunës me të rinjtë roganas kishte bërë që gjithçka të ishte bërë gati për datën 10 korrik 2021.

Hapja e turneut u bë me lojën miqësore ndërmjet ekipit të Policisë së Kosovës dhe atij të Forcave të Sigurisë së Kosovës.

Në fokus, mërgata e Kosovës

Sikur edhe në manifestime të mëhershme, në fokus të turneut ishte mërgata e shumtë e Roganës dhe fshatrave përreth që jetojnë në Perëndim. Shumë syresh ishin të lumtur që ky turne po zhvillohej pikërisht në kohën e pushimeve të tyre në Kosovë. Disa prej tyre, madje, kishin akorduar pushimin e tyre me familje në bregdet me lojërat e gjysmëfinales e të finales.

Pas një konkurrence të fortë e me lojëra impresionuese, në finale kishte arritur ekipi me emrin e heroit nga Medvegja, “Florim Rushiti” dhe ai i “Shoqatës Rainca” nga Presheva.

Loja finale kishte rastisur të luhej me 1 gusht, kur shumë mërgimtarë të rinj nga Zvicra në ndërdije kishin edhe festën kombëtare të shtetit helvetik.

Për ta nderuar këtë manifestim të rëndësishëm sportiv, organizatori kishte ftuar kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, z. Agim Ademi.

Për rreth katër mijë shikuesit e finales, organizatori kishte sjellë në fushë valltaret e valltarët e fshatit Muçivërc, që me artin e tyre kënaqën të pranishmit.

Më pas pasoi një fjalim përmbyllës i gjithë këtij turneu nga kryeorganizatori, Hetem Geci.

I lumtur që këtij organizimi i erdhi në fund, z. Geci, pasi përshëndeti në mënyrë të veçantë mërgatën e pranishme, nuk e la pa i falënderuar një për një të gjithë ata që kontribuuan për realizimin e kësaj ngjarjeje sportive.

Ai ka falënderuar për praninë e tyre, presidentin e Federatës së Futbollit të Kosovës, z. Agim Ademi me bashkëpunëtorët e tij, si dhe kryetarin ekomunës së Kamenicës, z. Qendron Kastrati me stafin e tij.

Geci ka kujtuar me këtë rast se “janë rezultatet e vazhdueshme të sportistëve roganas që Roganën e bëjnë të njohur si vatra e sportit kosovar. Këtë histori e kanë shkruar atletet e klubit të Atletikës, me kryetrajnerin Zijadin Kryeziu dhe atletët si: Astriti, Suadi, Graniti, Dijana, Vijona dhe Musa Hajdari, atlet i klubit nga Rogana, i cili këto ditë po e përfaqëson Republikën e Kosovës në Lojërat Olimpike, në Tokio të Japonisë.

“Kam nderin që këtë krenari të arritjeve sportive në fshatin Roganë ta filloj me veteranin e sportit të futbollit, trajnerin e Klubit Futbollistik “Bujku”, zotëriun Nusret Kallaba, i cili në Roganë dhe rrethinë mbolli kulturën e futbollit në veçanti si dhe kulturën e sportit në përgjithësi”, është shprehur ai në vazhdim.

 

Pastaj z. Geci ka përmendur emrat e disa roganasave që nderojnë fshatin e tyre por dhe Kosovën, edhe në nivele ndërkombëtare si: kapiteni i përfaqësueses së Kosovës Hekuran Kryeziu, për të vazhduar me kapitenen e ekipit “A” të femrave, zonja Edona Kryeziu, dhe së fundmi edhe futbollistët si Donat Rrudhani e Leotrim Kryeziu që, po ashtu, janë e ardhmja e futbollit kosovar në arenën ndërkombëtare.

Madje, Rogana krenohet edhe me një të arritur sportive, sepse tani e kemi edhe një refere të përmasave ndërkombëtare nga Rogana, e cila është e licencuar nga FIFA dhe UEFA, e kjo është – Florentina Nexhat Kallaba, ka shtuar ai.

Ky eveniment sportiv u organizua në kuadër të “Javës së Diasporës” nën patronazhin e kryetarit të komunës dhe Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport”, është shprehur më tutje z. Geci, duke falënderuar kryetarin Kastrati dhe stafin.

Vlerësim i lartë i turneut “Rogana 2021” nga kreu i futbollit kosovar

Në vazhdim, të pranishmëve u është drejtuar edhe kryetari i Këshillit Kombëtar për Kosovën Lindore z. Ragmi Mustafa i cili ka përshëndetur organizimin, duke veçuar faktin se, siç u shpreh ai “sot shohim dy ekipe që vijnë nga Kosova Lindore, një është Medvegja dhe një është Rainca. Sigurisht, Roganën do ta kujtojnë në kohërat më të vështira, atëherë kur e ka ndihmuar edhe Bujanocin edhe Breznicën, por i ka dhënë shtytje edhe më tej lirisë së shqiptarëve atje dhe besoj që do të jem krahë për krahë. Besoj që sporti është elementi që na bashkon të gjithëve, dhe nëpërmes sportit bashkohemi të gjithë. Urime të gjithëve!”, tha Ragmi Mustafa.

Ndërkaq kryetari i FFK-së, z. Agim Ademi i emocionuar nga prania kaq e madhe e shikuesve ka thënë veç tjerash se “Rogana është vendi i cili ka dhënë shumë sportistë, një prej të cilëve kemi kënaqësinë që e kemi kapiten të kombëtares sonë më të re. Pasi jemi në vitin olimpik i dëshirojmë sukses atletit tonë dhe tuajit, Musa Hajdarit i cili sot po lufton për medalje, dhe shpresoj në suksesin e tij. Ky turne ka qenë dhe ka një kohë të gjatë që mbahet; para luftës e ka pas një karakter krejt tjetër. Karakteri i këtij turneu nuk ka qenë vetëm për futboll, por ka qenë edhe përgatitje për diçka që sot na ka ardhur. Ndërsa sot nëpërmes këtij turneu po i nderojmë ata të cilët na e sollën lirinë, gjithsesi edhe diasporën tonë, mos na lashtë Zoti pa ta. Përshëndetje e veçantë për diasporën tonë!

“Ky turne po merr një karakter krejt tjetër, e sonte është i karakterit të veçantë për faktin që përveç që kanë marrë pjesë 32 ekipe është turneu më voluminoz që mbahet në Kosovë. E veçanta e finales së sotme është që janë dy ekipe nga Kosova Lindore: Rainca dhe Medvegja”, ka thënë tutje z. Ademi. Dhe, ai për fund ka dhënë sihariqin: “Federata e Futbollit e ka edhe një dhuratë për fituesin e sotëm, pikërisht që janë pjesë të Kosovës Lindore që ta ndiejnë veten që janë Kosovë, sonte do t’ua lë një dhuratë që e kam surprizë për ta, por gjithsesi do të jetë edhe shpërblimi në të holla prej 1000 eurosh nga Federata e Futbollit”.

Përshëndet edhe kryetari i komunës, Qëndron Kastrati

Në vazhdën e fjalimeve para masës prej rreth 4000 tifozësh të flaktë të futbollit foli edhe kryetari i Komunës së Dardanës, z. Qendron Kastrati.

Ai falënderoi kryetarin e FFK-së për zotimin e dhënë për ta ndihmuar drejtpërdrejt organizimin e këtij turneu, deri më tash më të suksesshmin në rajon. Po ashtu falënderoi edhe shoqatën “Sejdi Kryeziu” me seli në Zvicër dhe kryetarin e saj Miftar Morinën për kontributin e vazhdueshëm që po ia jep Roganës, në veçanti dhe Dardanës në përgjithësi. Kryetari Kastrati po ashtu u zotua që bashkërisht me FFK-në ta ndihmojë organizimin e këtij turneu futbollistik duke e lartësuar në nivel më të lartë rajonal.

Para fillimit të finales, Këshilli organizativ zgjodhi edhe dy talente të reja të turneut: Portierin e së ardhmes, Fehmi Kryeziun dhe Lojtarin e së ardhmes, Jon Latifajn, të cilët u dekoruan me mirënjohje nga z. Malazog Hoxha.

Këshilli organizativ ndau mirënjohje edhe për referët vullnetarë: Milaim Lakna, refer në Zvicër; Artan Rexhaj nga Drenasi, refer në Zvicër; Afrim Lenjani, profesor i ed. Fizike në Roganë; referit kryesor Patriot Fazliu, si dhe Jetullah Kallaba me qëndrim në SHBA.

Po ashtu zgjodhi edhe lojtarin më të mirë të turneut, z. Samir Hoxha nga ekipi i Medvegjes, ndërkohë që mirënjohje iu ndanë edhe institucioneve të Kosovës: Policisë së Kosovës si dhe Forcave të Sigurisë së Kosovës.

Më pas nën tingujt e muzikës nga lojërat olimpike dhe në përcjellje të duartrokitjeve frenetike të tifozëve nga Rogana, Hodonoci, Muçivërci, Dajkoci, Karaçeva, Kopërnica, Hogoshti, Koretini, Topanica, Dardana, Shipashnica, Breznica etj. në fushë hynë dy ekipet finaliste. “Florim Rushiti” nga Medvegja dhe Shoqata “Rainca” nga Presheva.

Lojtarët e të dy ekipeve demonstruan futboll cilësor, duke lënë të kënaqur, jo vetëm shikuesit nga komuna e Dardanës, por edhe mysafirët nga Gjilani e Prishtina.

Me lojën finale u ndanë të kënaqur edhe lojtarët e ekipit të Shoqatës “Rainca”, kryetar i së cilës është Mirsad Halimi si dhe trajneri dhe futbollisti veteran i Raincës, z. Berat Mahmuti.

Me këtë rast ekipi “Flurim Rushiti” nga Medvegja fitoi kupën e turneut “Rogana 2021”.

Organizatori shtroi darkë për finalistët e turneut si dhe për të gjithë mysafirët e ftuar, të cilën e sponzoroi drejtori për Kulturë Rini e Sport pranë komunës së Dardanës (Kamenicës) z. Arianit Ibrahimi.