Kosova
5% më shumë raste me kancer çdo vit në Kosovë
Në Kosovë, numri i rasteve të reja me kancer po rritet me një ritëm prej rreth 5% çdo vit, thotë drejtori i Klinikës së Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Ilir Kurtishi.
Ai shpjegon se ky trend është rezultat i disa faktorëve, përfshirë ndotjen e ajrit, duhanpirjen apo dietat e paekuilibruara, por edhe i ndërgjegjësimit në rritje të qytetarëve për kryerjen e kontrolleve të rregullta.
Sipas regjistrit klinik të kancerit në Klinikën e Onkologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, nga janari deri në fillim të korrikut 2025 janë regjistruar rreth 1.070 raste të reja me kancer.
Të dhënat në nivel kombëtar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës tregojnë se gjatë dekadës së fundit, numri i rasteve të reja ka ndjekur një trend pothuajse të pandërprerë rritjeje.
Kurtishi thekson se një pjesë e konsiderueshme e rasteve vazhdojnë të diagnostikohen në faza të avancuara të sëmundjes.
Ai përmend disa faktorë shtesë që ndikojnë në përhapjen dhe përparimin e saj:
“Infeksionet me viruse, përdorimi i substancave kontraceptive, mungesa e aktivitetit fizik e të tjera”.
Organet e sistemit tretës – si zorra e trashë apo stomaku – janë ndër më të cenueshmet nga tumoret malinje, siç njihen ndryshe format e kancerit.
Tumoret në gji dhe në organet gjenitale janë, po ashtu, ndër më të përhapurat.
Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) bën të ditur se gjatë vitit 2024 llojet më të përhapura të kancerit kanë qenë: kanceri i gjirit me 640 raste (17.6%), pasuar nga kanceret e tjera të lëkurës me 587 raste (13.8%), ai i mushkërive dhe bronkeve me 312 raste (8.6%) dhe kanceri i zorrës së trashë me 193 raste (5.3%).
Në total, gjatë periudhës janar-dhjetor të vitit 2024 u raportuan 3.644 raste të reja me sëmundje malinje.
Sipas statistikave, 51.8% e të prekurve janë gra dhe 48.2% burra, ndërsa grup-mosha më e atakuar është ajo mbi 60 vjeç.
Prevalenca – që tregon se sa persona jetojnë me kancer në një kohë të caktuar – ishte 288.3 raste për 100 mijë banorë në vitin 2024, ndërsa incidenca – që mat rastet e reja të diagnostikuara gjatë vitit – arriti në 227.4 raste për 100 mijë banorë, tregojnë të dhënat e IKSHPK-së.
Sipas këtij instituti, rritja e rasteve me kancer lidhet me faktorë të ngjashëm si në vendet e tjera: ndryshimet demografike, ndotja mjedisore, mënyra e jetesës, përmirësimi i diagnostikimit dhe raportimit, si dhe mungesa e programeve të posaçme për parandalim dhe zbulim të hershëm.
Në pesë vjetët e fundit, trajtimi i pacientëve me kancer në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është shtuar dukshëm.
Megjithatë, kapacitetet e Klinikës së Onkologjisë nuk duket se kanë mundur ta përballojnë në mënyrë adekuate këtë rritje.
Kushtet në këtë klinikë vazhdojnë të jenë të kufizuara – qoftë në hapësirë, personel apo pajisje.
Aty janë gjithsej 110 shtretër për pacientët që marrin kimioterapi.
Radio Evropa e Lirë ka raportuar më herët se ky trajtim ofrohet shpesh edhe në salla të improvizuara.
Gjithashtu, pacientët përballen shpesh me pritje të gjata, në mungesë të kapaciteteve – qoftë në mjekë, apo barna.
Stafi mjekësor thekson vazhdimisht nevojën për investime më të mëdha, të cilat edhe bëhen, por shpesh nuk mjaftojnë për të përmirësuar ndjeshëm cilësinë e trajtimit apo për të zbutur fluksin në rritje të pacientëve.
Sipas një raporti të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, të publikuar vitin e kaluar, rreth 1 në 5 persona zhvillon kancer gjatë jetës dhe afërsisht 1 në 9 burra dhe 1 në 12 gra vdesin nga kjo sëmundje.
Kurtishi thekson rëndësinë e kontrolleve sa më të rregullta, duke vlerësuar se diagnostikimi i hershëm i çdo sëmundjeje rrit ndjeshëm shanset për trajtim të suksesshëm./REL
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Përfundon numërimi i votave me postë, LVV dominon me gati 73 për qind të mbështetjes Votat e diasporës i shtojnë pesë mandate Vetëvendosjes, ndërsa procesi zgjedhor vazhdon me numërimin e votave... -
Gjithçka gati për edicionin jubilar të Alba Festival 2026 – Festivali më i madh shqiptar në Evropë -
KQZ numëron mbi 96 për qind të votave me postë -
Buna Latifi shkëlqen në festivalin ndërkombëtar të kitarës, rrëmben çmimin e parë me 98.3 pikë -
Itali
Shqiptari bëhet hero në plazhin italian, shpëton dy notarë nga mbytja
Jeta në Zvicër
-
Parlamenti zviceran mbështet verifikimin e të dhënave kriminale për lejet e qëndrimit për të huajt Senati i Zvicrës iu bashkua të mërkurën Dhomës së Përfaqësuesve në miratimin e një mocioni që... -
Zvicër: Gjykatën Administrative Federale kritikohet për procedurat e azilit -
Zvicër: Rriten rastet e dumping-ut të pagave në 2025, ndërsa puna e padeklaruar shënon rënie të lehtë -
Parlamenti zviceran miraton rritjen e TVSH-së për financimin e pensionit të 13-të të AVS -
Zbulohet rrjet trafiku ari mes Ticinos dhe Italisë, 230 kg ari të kontrabanduara në Zvicër












