Skulpturë

Kulturë 

Skulptor

Shumë larg vendlindjes, në një hapësirë të gjelbëruar me madhësi të një fushe futbolli, dy artistëve të rinj shqiptarë  iu dha rasti ta përfaqësojnë  për herë të parë Kosovën në Festivalin e skulpturave në rërë që mbahet në Rorschach të Zvicrës për trembëdhjetë vjet me radhë.

Në mesin e dhjetë ekipeve që kishin fituar konkursin për të marrë pjesë në këtë festival, risia ishte ekipi nga Kosova, me dy artistët gjilanas, Bekim Korçën dhe Kushtrim Zeqirin.

Të vendosur buzë liqenit në njërën anë dhe karshi restoranteve e përballë ekipeve konkurruese, si Holanda, Letlanda, Rusia, Bullgaria, Kenia dhe Çekia, në garë për të gdhendur skulpturën më të mirë nga rëra, takojmë dy gjilanasit e relaksuar në pritje të ndarjes së çmimeve pas punës së mundishme njëjavore që kërkonte nga artistët pjesëmarrës ilustrimin më të mirë përmes artit figurativ  të temës së përzgjedhur -„kafsha në ty“.

©albinfo.ch: Palaçoja e ekipit nga Kosova

Ilustrimin e kësaj teme Bekimi dhe Kushtrimi kanë zgjedhur ta bëjnë përmes një palaqoje kokështrirë e gjuhën jashta. Koncepti dhe emri i punës sonë që kam përzgjedhur bashkë me Kushtrimin, ka qenë kloni apo palaqoja, i cili luan ose e aktron elefantin.  Portreti i klonit tregon se artistët sakrifikojnë gjithnjë veten për t’i bërë të tjerët të ndjehën mirë, përshkruan skulpturën e tij Bekim Korça, duke na shpjeguar se fytyra e palaqos simbolizon njeriun normal, kurse brenda tij ekziston një elefant që tregon se palaqët, dhe jo vetëm ta, por  edhe artistët e njërëzit e rëndomtë, e kanë një energji të jashtëzakonshme që  mund mbase ta balansojnë me fuqinë e elefantit, thotë në këtë rast skulptori 36-vjeçar Bekim Korça, i cili  jeton dhe vepron  në Gjilan. Ka një atele të veten, punon për një organizatë joqeveritare në mbrojtje të drejtave të njeriut, si dhe monitoron marrëdhëniet ndëretnike në Kosovë.

Të ngazëllyer nga mikpritja e mirë, dy skulptorët nga Kosova  mendojnë se pjesëmarrja e tyre është një rast i mirë i artistëve të rinj për promovim e punës së tyre, e që në të njejtën kohë ka rëndësi të madhe për shqiptarët që jetojnë jo vetëm në këtë qytet, por edhe më gjerë. Sepse pranë çdo skulpture të vendosur qëndron një pllakatë me emrat e pjesëmarrësve, vendi nga vijnë e përshkrimi i skulpturës, që për temë kishin „Kafsha në ty apo përbrenda teje“ ose „Your inner animal“.

Skulptura fituese, kundruall asaj të ekipit nga Kosova

Bekimi ka pasur ekspozita kolektive të shumta si dhe ekspozita personale, ndërkohë që në fushën e artit internacional ka krijuar një përvojë të mirë. Kohë më parë në Budapest të Hungarisë është paraqitur me dy ekspozita personale. kurse tani për herë të parë në Rorschach të Zvicrës në Festivalin e skulpturave në rërë bashkë me kolegun e tij, Kushtrim Zeqiri. Meritat për prezencën e ekipit nga Kosova ia drejton komunitetit shqiptar në Zvicër, gjegjësisht Shoqatës shqiptare në Bodensee në krye me Afrim Maliqin, të cilët mundësuan që në këtë festival të karakterit ndërkombëtar të sjellin një ekip nga Kosova. Festival ky që përreth një muaj vizitohet nga vizitorë të shumtë, jo vetëm nga Zvicra, por edhe nga Gjermania, Austria, Holanda e vende të tjera. Karakteristikë e veçantë e këtij festivali është bujaria e qytetarëve të Rorschach-ut.  Në hyrje të festivalit qëndron një pllakatë e madhe me emrat e donatorëve, ku ndër të tjera është edhe pizzeria Zattis, pronë e një shqiptari nga Tetova. Bekimi dhe Kushtrimi ishin mysafirë të hotelit Rossli, aty kishin ushqimin dhe fjetjen falas, ndërsa rrugën e kishin nga „Air Prishtina“ .

Siç mësojmë nga Kushtrimi dhe Bekimi, interesimi i vizitorëve për ekipin nga Kosova ka qenë i jashtëzakonshëm. Gjatë tërë javës sa kemi punuar këtu, unë kam përjetuar vetëm reagime pozitive. Reagimet me të mëdha kanë qenë kur e kanë lexuar, Kosovo Team! Një lloj habie përmes mimikës, domethënë, wua -Kosovo Team – paska ekip edhe nga Kosova! Shumë shtetas zviceranë kanë mirëpritur prezencën e ekipit nga Kosova, na janë ofruar  për diskutim e iu ka ardhur mirë që edhe Kosova merr pjesë në këtë festival, thotë Bekimi, i bindur se përmes artit e bashkëpunimit kulturor gjasat për integrim të komunitetit tonë janë shumë më të mira. Dhe në një rast tek sa nxënësit e shkollave përrreth që më mësuesit e tyre shikonin skulpturat, fëmijët shqiptarë, më të parë se edhe Kosova ishte pjesëmarrëse, nga gëzimi e krenaria thirrnin gjermanisht: „yah“,  edhe Kosova qenka këtu.

Bekimi dhe Kushtrimi para skulpturës së tyre

Për 23-vjeçarin Kushtrim Zeqiri, skulptor me profesion,  i cili këtë vit ka mbaruar studimet postdiplomike master në Degën e skulpturës në Prishtinë, më tepër se të fitonin ishte e rëndësishme pjesëmarrja. „Ndarja e çmimeve nuk kishte ndonjë rëndësi të madhe, është shije e komisionit. Më rëndësi ishte prezenca e ekipit nga Kosova në një vend ku komuniteti shqiptar jeton në numër të madh. Fundja, të gjitha skulpturat janë të mira që ilustrojnë një histori rreth temës“. Kushtrimi e pranon se, karshi ekipeve të tjera, ekipi nga Kosova nuk sillte përvojë të madhe me skulpturat në rërë, porse kjo nuk çonte shumë peshë, e nuk  na hamendte, sepse kishim konceptin tonë të punës për të realizuar këtë skulpturë. I kënaqur që ishte pjesë e këtij festivali, ai ndahet me përshtypjet që ka pasur fatin të jetë pjesë e këtij festivali pranë shumë artistëve të tjerë në një atmosferë tërësisht të re. Me një ritëm të punës që njihet vetëm në Zvicër.

Ekipi kosovar  mbi gjitha ishte befasur me përpikmërinë e organizatorëve. „Ne kemi dëgjuar e lexuar për përpikëmërinë e punës së zviceranëve, kurse tani patëm rastin ta ndjejmë e ta shohim nga afër. Këta janë njerëz që punojnë për vijë, domethënë e respektojnë shumë punën. Kjo ka qenë përshtypja e parë që kemi marrë, përshtypjen e dytë e kemi nga ngrohtësia e bashkatdhetarëve që jetojnë këtu, qysh nga momenti i parë i mbërritjes ne kemi qenë në krye të vëmendjes së tyre duke na ofruar ndihmë për gjithçka që kishim nevojë, por edhe duke na shtruar darka e organizuar takime e udhëtime nga më mbreslënëset.

Për më tepër rreth këtij festivali mund të vizitoni linkun http://www.sandskulpturen.ch/

 Biografi e shkurt

  • Emri, MbiemriKulturë 
  • Profesioni:Skulptor

  WHO’S WHO të tjera