Bota

5 vendet më të mira për të huajt e pasur

Përpjekja e Mbretërisë së Bashkuar për t’i dhënë fund sistemit preferencial tatimor për të huajt e pasur, e kalon vëmendjen te vendet e tjera që ofrojnë përfitime dhe lehtësira për elitën globale

Mbretëria e Bashkuar njoftoi se do të heqë sistemin preferencial tatimor, i cili u lejon njerëzve që jetojnë atje, por kanë vendbanim të përhershëm jashtë vendit, të shmangin taksat mbi asetet e tyre të huaja për 15 vjet.

Ky ndryshim vjen pasi hendeku në rritje i pasurisë në shumë vende perëndimore, po i shtyn disa prej tyre, të kufizojnë përfitimet tatimore dhe të shtetësisë, që synojnë emigrantët. Portugalia, tetorin e kaluar, njoftoi planet për të hequr programin e rezidentëve “jo të zakonshëm”, një politikë që lejon të huajt të paguajnë taksa më të ulëta mbi të ardhurat dhe pensionet, sesa vendasit për 10 vjet, shkruan Monitor, transmeton albinfo.ch.

Pra, ku mund të shkojnë emigrantët nga MB dhe vende të tjera për të mbrojtur pasuritë e tyre? Në vazhdim renditen pesë vende në mbarë botën, që ofrojnë përfitime për të huajt.

Antigua dhe Barbuda

Që nga zbatimi i një ligji të ri tatimor në vitin 2016, rezidentët dhe jorezidentët nuk tatohen mbi të ardhurat e fituara në vend, ose mbi asetet e tyre të huaja. Ky ligj ka qenë një shtytës kryesor për ekonominë e vendit, duke tërhequr investitorë të pasur dhe duke nxitur tregun e pasurive të paluajtshme. Gjithashtu, nuk ka taksa mbi pasurinë apo trashëgiminë në këta ishuj tropikal.

Të huajt gjithashtu mund të sigurojnë shtetësinë, që premton udhëtim pa viza në Evropë, për vetëm 100,000 dollarë. Qytetarët e Antigua dhe Barbuda, mund të udhëtojnë në 154 vende pa aplikuar paraprakisht për vizë. Por, BE-ja po përpiqet të godasë këtë politikë pa viza dhe të ushtrojë presion ndaj saj dhe vendeve të tjera të Karaibeve, që të mbyllin programet e shtetësisë për investim ose t’i shtrëngojnë ato.

Emiratet e Bashkuara Arabe

Dubai dhe Emiratet kanë tërhequr një mori të menaxherëve të fondeve të investimit dhe bankierëve nga e gjithë bota në vitet e fundit, falë ligjeve të tatimore dhe lehtësive për të pasurit. Emiratet e Bashkuara Arabe nuk tatojnë të ardhurat personale, fitimet kapitale, trashëgiminë, dhuratat ose pronat. Dhe vendi ka një nga normat më të ulëta të taksave të korporatave në botë, me 9% për kompanitë që gjenerojnë më shumë se 375,000 dirhemë (102,000 dollarë) fitime vjetore.

Vendi gjithashtu ka rritur së fundmi sferën e njerëzve, që mund të aplikojnë për viza qëndrimi afatgjatë, duke përfshirë sipërmarrësit dhe inxhinierët. Megjithatë, Dubai po bëhet i papërballueshëm, pasi për shkak të popullaritetit, çmimet e pasurive të paluajtshme janë në rritje. Listat e pritjes për shkollat ndërkombëtare dhe klubet private, janë mjaft të gjata.

Italia

Sistemi bujar i taksave i Italisë për të huajt i krijuar në vitin 2017, ka qenë shumë efektiv në tërheqjen e emigrantëve. Numri i të huaje në Milano qe përfitojnë nga këto lehtësime tatimore, u dyfishua në vitin 2021, një total prej më shumë se 1,300 personash. Banorët e rinj paguajnë një tarifë vjetore prej 100,000 € (109,000 dollarë) dhe janë të përjashtuar nga pagesa e tatimit mbi të ardhurat e huaja. Ata gjithashtu mund të mos paguajnë taksë për 50% të të ardhurave të tyre italiane, nëse nuk kanë qenë rezident për dy vitet fiskale të mëparshme.

Kohët e fundit në Milano janë rritur çmimet e pasurive të paluajtshme dhe kanë shkaktuar kosto më të lartë të jetesës në qytet, duke ndezur tensione mes banorëve vendas. Megjithatë, ndërsa Britania e Madhe dhe Portugalia heqin stimujt për të huajt, konsulentët e pasurisë thonë se Italia vazhdon të jetë një nga përfituesit kryesorë të emigrantëve globalë – veçanërisht nga Amerika dhe Lindja e Mesme – që kërkojnë të depozitojnë paratë në një vend evropian me taksa të ulëta.

Singapori

Ndërsa qyteti-shtet aziatik ka përfituar nga shtrëngimi i Kinës në Hong Kong, masa e vitit të kaluar për të rritur taksën e pronës në 60% për blerësit e huaj, e ka bërë atë më pak të favorshëm. Shkalla e tatimit mbi të ardhurat personale për banorët është e ulët, e kufizuar në 22%. Taksa standarde e korporatave është 17%.

Megjithatë, për të blerë një shtëpi me vlerë 5 milionë dollarë, një blerës i huaj do të duhet të paguajë 65% taksa në Singapor, duke përfshirë taksat e tjera, krahasuar me rreth 4% në Nju Jork, 15% në Londër dhe 30% në Hong Kong.

Monako

Multimilionerët kanë vazhduar të dynden në Monako për të shijuar kazinotë e qytetit, stilin e jetës së shkëlqyer dhe taksat e ulëta. Një “park lojërash” për elitën evropiane, vendi i vogël nuk ka taksa mbi pronën, të ardhurat personale apo fitimet kapitale. Pronat me qira tatohen me 1% të qirasë vjetore. Monako eliminoi taksat mbi dividentët e paguar nga kompanitë lokale dhe nuk zbaton taksë të përgjithshme mbi të ardhurat e korporatave.

Vendi evropian ka pronat e paluajtshme më të shtrenjta në botë, ku me 1 milion dollarë mund të blihet një pronë me vetëm 172 metra katrorë. Leja e qëndrimit në vend, mund të merret duke investuar mbi 1 milion € (1.1 milion dollarë).

Cilat vende kanë taksat më të larta

Nëse jeni kureshtarë për vendet që taksojnë më shumë, por gjithashtu ofrojnë cilësi të mirë jetese dhe shërbime publike, Franca, Belgjika, Danimarka dhe Japonia kanë disa nga grupet më të larta të taksave në botë.

Tatimi mbi të ardhurat e Francës shkon deri në 45%, ngjashëm me Japoninë. Franca zbaton një taksë 3% për të ardhurat që tejkalojnë 250,000 € (273,000 dollarë), ndërsa tatimi mbi fitimet kapitale është 19%. Taksat mbi të ardhurat e Danimarkës, shkojnë deri në 52%. Në Belgjikë, çdo e ardhur mbi 46,440 €, tatohet me 50%.